Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi ka reaguar pasi emri i tij u përmend nga emisioni italian Report në Rai Tre, gjatë një reportazhi për marrëveshjen e emigrantëve mes Italisë dhe Shqipërisë.
Rai 3 thoshte se njeriu kyç i paktit me italinë është Ëngjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, një ish avokat i trafikantëve të drogës.
Në një reagim për median italiane “La repubblica”, Agaçi njoftoi se do të ngrejë padi për shpifje ndaj emisionit.
Krahasimi i bërë nga programi televiziv sipas Agaçit, është shumë i dëmshëm për reputacionin e tij.
“Kam lënë detyrën ligjore dhjetë vjet më parë dhe krahasimi i bërë nga programi televiziv Report është shumë i dëmshëm për reputacionin tim. Unë kam udhëzuar tashmë avokatët e mi italianë që të ngrenë një padi për shpifje kundër programit televiziv shtetëror italian. Burimet duhet të verifikohen dhe po ashtu edhe lajmet”, ka thënë Agaçi në reagimin e tij.