Departamenti i Garave në FSHF ka përcaktuar datat për ndeshjet e “Final 4”, ku do të përcaktohet ekipi kampion në “Abissnet Superiore” dhe ekipet që marrin pjesë në kualifikueset e UEFA Europa dhe Conference League.

Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në stadiumin “Air Albania”, në periudhën 17-26 maj. Gjysmëfinalja e parë do të zhvillohet më 17 maj, duke nisur nga ora 20:00, ndërsa gjysmëfinalja tjetër në po të njëjtën orë më 19 maj.

Finalja për vendin e 3/4 është programuar të luhet më 24 maj, ora 19:00, ndërsa finalja e madhe për titullin kampion më 26 maj, ora 19:00.

Sa i takon shortit të “Final 4”, ai do të zhvillohet në përfundim të sezonit të rregullt të “Abissnet Superiore”.

Si funksionon “Final 4”

Ekipet pjesëmarrëse: 4 vendet e para të “Abissnet Superiore” në përfundim të kampionatit të rregullt.

Shorti: Ekipet ndahen në dy vazo, vazo 1 (vendi i parë dhe i dytë), vazo 2 (vendi i tretë dhe i katërt) dhe përmes shortit përcaktohen çiftet gjysmëfinaliste.

Gjysmëfinalet: Kalimi në finale përcaktohet në 90 minuta. Ekipet fituese kalojnë në finalen për titullin kampion. Në rast barazimi në gjysmëfinale, në finale kualifikohet ekipi i renditur në vendin e parë/dytë.

Finalet: Ekipet e kualifikuara nga gjysmefinalet luajnë për titullin kampion, ndërsa ekipet humbëse për vendin e tretë.

Çfarë përfitojnë klubet sportivisht

Vendi i parë në “Final 4”: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Champions League

Vendi i dytë në “Final 4”: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Conference League

Vendi i tretë në “Final 4”: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Conference League

Vendi i katërt në “Final 4”: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Conference League, nëse Kupa e Shqipërisë fitohet nga një prej tre ekipeve të para në “Final 4”