‘Freedom House’ vlerëson përpjekjet e SPAK-ut për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Organizata me seli në Uashington, në raportin e fundit “Vendet në Tranzicion 2024”, thekson se korrupsioni vazhdon të mbetet dukuri shqetësuese në Shqipëri.
“SPAK-u gradualisht përmirësoi rezultatet e hetimeve të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe ngriti akuza kundër një numri politikanësh kryesorë në Shqipëri në vitin 2023, duke u bërë njëri nga institucionet e pakta funksionale të drejtësisë dhe prokurorisë në vend, ndërkohë që procesi i vetingut në Shqipëri vazhdoi edhe gjatë vitit 2023″, thuhet në raport.
Raporti i referohet hetimeve të SPAK-ut ndaj ish-Kryeministrit Sali Berisha për korrupsion, për të cilin ai është shpallur non-grata nga SHBA dhe Britania e Madhe dhe shton se krahu i tij politik “është shndërruar në një grup të dhunshëm, që duket se dëshiron të destabilizojë vendin, duke e bërë arrestimin e tij lajm të mirëpritur për shumë njerëz”.
Raporti po ashtu citon edhe aktpadinë e SPAK-ut ndaj ish Zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj për korrupsion dhe lëshimin e fletë-arrestit ndërkombëtar pasi ai u largua nga Shqipëria.
Sipas raportit, “pas hetimeve dhe akuzave të SPAK-ut ndaj Berishës dhe Ahmetajt, si dhe ekspozimit të lidhjeve ndërmjet disa grupeve të krimit të organizuar me biznese, politikanë dhe agjenci të rendit” është vënë re “një fushatë në rritje dezinformimi nga disa portale dhe nga figura të larta politike në qeveri dhe opozitë për të diskredituar punën e SPAK-ut.”
Këto përpjekje të shtuara të SPAK-ut për të hetuar korrupsionin dhe krimin e organizuar të nivelit të lartë, sipas ‘Freedom House’, kanë nxitur sulme ndaj gjykatësve dhe prokurorëve të tij nga të gjitha partitë politike, të cilat vazhdojnë të mos distancohen nga zyrtarët e akuzuar mes radhëve të tyre.
“Reagimi negativ nënvizon realitetin se SPAK-u nuk mundet të luftojë korrupsionin në nivelet më të larta i vetëm dhe se është e rëndësisë jetike për demokracinë në Shqipëri, që partitë politike t’i largojnë ata që janë të përfshirë në korrupsion dhe që kanë një të kaluar që minon sundimin e ligjit dhe demokracinë”, thuhet në raport.
Sipas ‘Freedom House’ “partitë politike shqiptare vazhdojnë të mos jenë në gjendje të përballen me korrupsionin në radhët e tyre dhe duken të pavullnetshme për t’u distancuar nga udhëheqësit problematikë partiakë që janë sanksionuar jashtë vendit ose që ballafaqohen me akuza serioze nga SPAK-u.”
“Kjo dukuri pjesërisht ka të bëjë me mungesën e demokracisë së brendshme të partive politike dhe paaftësisë së tyre” për t’i dhënë përgjigje kësaj dukurie negative në radhët e tyre.
Raporti vjetor i ‘Freedom House’ që trajton parametrat kryesorë demokratik të shteteve në tranzicion, bën përgjegjëse të dy anët e spektrit politik në Shqipëri që kanë çuar në dobësimin e pozitës së parlamentit për të mbikëqyrur punën e qeverisë.
“Përçarja e Partisë Demokratike pati efekt zinxhir tek roli që opozita luan për ta mbajtur përgjegjëse qeverinë dhe për të kontribuar në funksionimin bazë të parlamentit, duke çuar drejt përplasjeve të dhunshme në parlament në dy muajt e fundit të vitit 2023 që minuan rolin e rëndësishëm që legjislatura luan në demokracinë parlamentare,” thuhet në raport.