Kryetari i Delegacionit të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, Damian Gjiknuri u shpreh sot se të gjitha vendet në rajon po avancojnë, ndërkohë që kanë përpara edhe sfida me të cilat duhet të përballen.

Gjatë punimeve në Tiranë të “Forumit Ndërparlamentar të Evropës Juglindore të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së”, Gjiknuri nënvizoi se “ky është një përfaqësim mjaft i mirë për të diskutuar problematikat aktuale”.

“Takimi i parë i përfaqësuesve të grupit parlamentar të OSBE-së është një mundësi shumë e mirë për të shkëmbyer ide mbi sfidat e përbashkëta sidomos në këtë pjesë të Europës. Gjithashtu edhe për objektivat që OSBE ka dhe promovon”, u shpreh Gjiknuri.

Ai theksoi se në këtë takim marrin pjesë delegacione nga gjithë vendet e Europës Juglindore dhe partnerët fqinj, si Italia dhe Greqia.

“Jo të gjithë janë të pranishëm siç u zotuan në takimin e Vjenës, por janë të justifikuar sepse ka zgjedhje prandaj mungojnë delegacionet e Serbisë dhe Kroacisë. Por gjithsesi ne kemi përfaqësues nga Italia, Greqia, Mali i Zi, Bosnja, Hungaria dhe Sllovenia”, tha ai.

Gjiknuri informoi se në këtë forum do të diskutohet për progresin të cilin kemi arritur, por edhe mbi sfidat me të cilat përballet rajoni.

“Rajoni nuk është siç ka qenë tani, po shijon paqen të gjitha vendet në rajon po avancojnë, por kemi edhe sfida. Fokusi i axhendës europiane, integrimi kulturor dhe ekonomik janë çështje të OSBE-së, por edhe siguria është një element shumë i rëndësishëm i paqes dhe prosperitetit. Shqipëria vetë ka shënuar përparim. Edhe vende të tjera gjithashtu”, theksoi Gjiknuri.