Ish gjyqtari Gjin Gjoni, i cili u bë simbol i drejtësisë së vjetër me pasurinë e tij prej sheiku dhe që u dorëhoq para vettingut, është tashmë kryetari i Berishës për degën e Rithemelimit në Lezhë.
Një veteriner që u bë miliarder, por tani synon “politikanin”, ky është profili i personazhit kontravers të drejtësisë shqiptare, i cili tani ka vendosur t’i futet politikës.
Shqiptarja.com risjell një profil të Gjonit: Nga padia e ILDKP për fshehje të mbi 2 milionë eurove pasuri, te mbyllja e hetimeve, dorëheqja para vetingut dhe deklarimet pasurore prej sheiku…
Arsimi si veteriner dhe katapultimi në drejtësi
Gjin Gjoni është arsimuar fillimisht në Universitetin Bujqësor i Tiranës, dega Veterinari, fakt të cilin është kujdesur për ta fshehur gjithmonë. Në vitin 1993, Gjin Gjoni bën një kurs disamujor në Durrës, i quajtur kursi i ‘Plepave’ dhe katapultohet në sistemin e drejtësisë shqiptare. Pa një diplomë juristi, Gjin Gjoni u ngjit me shpejtësi në nivelet më të larta të drejtësisë shqiptare.
Gjin Gjoni nga data 04.06.2013 deri në fund të vitit 2018, ishte anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, organit më të lartë të drejtësisë për emërimin, shkarkimin, vlerësimin dhe masat disiplinore të gjyqtarëve në Shqipëri. Pra, deri kur KLD u shkri për shkak të reformës në drejtësi, Gjin Gjoni, ishte pjesë e çetës që kontrollonte gjyqtarët, përmes emërimit dhe ndëshkimit të tyre në rast nevoje. Por kur erdhi puna të përballej me Vetingun, ai u tregua frikacak. Sapo u njoh me akte e KPK dha dorëheqjen, pasi pasuria e tij kapte shifra të frikshme.
Dosja e pasurisë së Gjin Gjonit
Gjin Gjoni është një ndër gjyqtarët më të pasur të drejtësisë shqiptare, ndonëse kur ka deklaruar pasurinë për herë të parë në vitin 2003, rezultonte i pastrehë. 9 vjet më pas, në vitin 2012, deklaruar blerjen e një rezidence me vlerë 700 mijë euro si dhe një dyqan me vlerë 150 mijë euro, së bashku me bashkëshorten Elona Çaushi. Në vitin 2010 kanë deklaruar makinë 62 000 euro. Në vitin 2011, deklarojnë blerje apartamenti në Tiranë me vlerë 53 200 000 lekë ose rreth 500 mijë USD etj. Gjin Gjoni ka deklaruar se pasuria e tij buron nga bashkëshortja, Elona Çaushi, pasi është e pasur.
Padia e ILDKP
Por, në vitin 2014, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive i kallëzoi penalisht Gjin Gjonin dhe Elona Çaushit, me pretendimin se deri në atë kohë ata nuk justifikonin një pasuri me vlerë 2.4 milionë euro, ndërsa i akuzoi për falsifikim dokumentesh, pastrim parash, mashtrim me pasurinë etj.
Historia e vilës luksoze
Në dosjen e siguruar nga Shqiptarja.com, ILDKP pretendonte se Gjin Gjoni, përpos pasurive të tjera, kishte blerë edhe një vilë me vlerë 700 mijë euro në Farkë, në vitin 2012, me burim të dyshimtë. Në maj të 2014, dosja e bujshme i kaloi Prokurorisë së Elbasanit, e cila regjistroi procedimin penal me nr: 1098 për dy vepra penale: “falsifikim të dokumenteve” dhe “fshehje të pasurisë”.
Gjin Gjoni e bllokoi prokurorinë me disa lëvizje procedurale dhe arriti ta mbyllte çështjen. Megjithatë, në kuadër procedimit penal, Prokuroria e Elbasanit pyeti Gjin Gjonin dhe Elona Çaushin rreth pretendimeve të ILDKP për pasurinë e tyre.
Sipas dosjes, Gjin Gjoni deklaroi para prokurorit se, së bashku me bashkëshorten kanë realizuar kontratën për blerjen e vilës në Farkë, por më pas e ka anuluar kontratën, pasi nuk ka pasur para për të paguar këstet dhe se nuk i ka pëlqyer çmimi.
Pra, Gjin Gjoni, tha se nuk kishte vilë.
Gjin Gjoni ka pohuar në prokurori ndër të tjera se “Për sa i përket pikës 7 të kallëzimit penal që ILDKPKI pretendon se është deklarim i rremë nuk qëndron, pasi nga ana ime dhe bashkëshortes sime rezulton se është deklaruar kontrata e sipërmarrjes dhe e porosisë me nr. 1416 Rep dhe nr. 167 datë 24.04.2012 sipas deklarimeve të realizuara në deklaratën e pasurisë së vitit 2013… Kontrata me vlerë 700 000 euro është zgjidhur duke u anuluar me kontratën e dytë të lidhur pas saj. Zgjidhja e kontratës është bërë për shkak të mospëlqimit të çmimit”.
Gjin Gjoni e dha dorëheqjen në përfundim të lejes dyvjeçare prindërore që mori nga ish-KLD-ja në vitin 2018, ku ishte anëtar edhe vetë, ndërsa Ilir Meta ishte kryetar.
Në tetor të vitit 2020, Gjin Gjoni regjistroi në QKR studion e avokatisë “G&G LAW FIRM”. Në dokumentet e regjistrimit, ish-gjyqtari deklaron edhe adresën e banimit, që është pikërisht; ‘Rolling Hills’, Vila nr. 69, Farkë, Tiranë.
Nuk marrim përsipër të themi nëse është apo nuk është e njëjta vilë, por ka dyshime të forta se Gjin Gjoni mund të ketë gënjyer prokurorinë në 2014, për t’i shpëtuar përgjegjësisë penale. Njëri nga bashkëshortët deklaroi në 2014 se kontrata për blerjen e vilës është anuluar për mungesë parash, ndërsa tjetri deklaron se kontrata për vilën është anuluar pasi nuk i pëlqen qetësia! Gjashtë vjet më vonë, deklarojnë se banojnë pikërisht në një vilë, në Farkë.
Ndërkaq, edhe sikur Gjin Gjoni ta ketë anuluar vërtetë kontratën për blerjen e vilës, është i dyshimtë fakti që në deklaratën e pasurisë në vitin 2013, ish gjyqtari nuk e deklaron vlerën e kontratës, por vetëm pagesën e këstit 81 mijë euro. Në prokurori ka thënë se “është e vërtetë që në pikën 2.2 të saj thuhet se kësti i parë prej 90 000 euro dhe shuma prej 1 498 euro për sistemin e vaditjes duhej të paguheshin në momentin e nënshkrimit të kësaj kontrate, por në realitet në marrëveshje midis palëve kjo shumë nuk është paguar”.
Të gjitha këto kontradikta dhe paradokse janë një sfidë për SPAK.