E bija e taksistit që u vra në vitin 1995, Rozeta Alite ka reaguar në profilin e ministrit të Brendshëm Taulant Balla, pas lajmit se autori që i mori jetën të atit u kap dhe ekstradua nga Korea e Jugut ku fshihej prej më shumë se dy dekadash.

Ndalimi i autorit të vrasjes, Ervin Shahini, u krye pas shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Seulit.

Ajo u shpreh se ndalimi i vrasësit së të atit i ka kthyer besimin te drejtësia që e kishte humbur, ndaj edhe ishte larguar nga Shqipëria për të ndërtuar jetën në Shtetet e Bashkuara.

Sakaq, ajo shprehu vlerësimin dhe falënderimin e familjes së saj për këtë veprim të autoriteteve shqiptare.

“Pershendetje Zoti Minister Taulant Balla,
Uroj te jeni mire. Do doja tju falenderoja nga zemra per punen e palodhur qe beni cdo dite ne Shqiperi. Une jam vajza e Xhemali Alite qe eshte vrare ne Gusht, 1995 nga Ervin Shahini. Kapja dhe ekstradimi i ketij krimineli dhe kthimi ne Shqiperi me ka kthyer besimin ne drejtesi. Une i kisha humbur shpresat se do kishte drejtesi per vdekjen e babait tim. Babai im eshte vrare ne menyre barbare nga Ervin Shahini dhe i eshte mare taksia ne Gusht te 1995. Vdekja e babit tim, na ndryshoi jeten mua, mamase time dhe motres time. Un jetoj prej 20 viteve ne Amerike dhe nuk kam dashur kurre te kthehem sepse nuk besoja me ne drejtesine e shtetit Shqiptar. Ate qe keni bere ju te ktheni nje kriminel ne Shqiperi pas 29 viteve nuk e beri asnje qe ka qene ne ate pushtet dhe karrige. Ju falenderoj me gjithe zemer ju dhe policin e shtetit ne emer te familjes time per punen e palodhur qe beni cdo dite dhe per drejtesine qe vendosni ne Shqiperi. Ju jam mirejohese gjithe jeten une dhe familja ime!
Me respekt per ju dhe punen tuaj”, shkroi ajo në reagimin e saj.