Trafiku ajror në Shqipëri pritet të shënojë një rritje prej 18.3% gjatë vitit 2026, ndërsa Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës parashikohet të përpunojë mbi 13.5 milionë pasagjerë.

Kështu bëri të ditur ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, gjatë një vizite në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, ku vlerësoi zgjerimin e aktivitetit të kompanive ajrore low-cost, duke e cilësuar atë si një tregues pozitiv për zhvillimin e aviacionit në vend.

Sipas ministrit, liberalizimi i tregut ajror dhe ulja e tarifës për pasagjerët nga 10 euro në 1 euro kanë ndikuar në rritjen e trafikut dhe në zgjerimin e destinacioneve ajrore.

Karakaçi theksoi se Aeroporti i Rinasit vijon të jetë më i madhi në rajon, ndërsa shifrat e pritshme për vitin 2026 dëshmojnë një rritje të konsiderueshme krahasuar me vitet e mëparshme.

“Jemi në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, një nga operatorët më të rëndësishëm loë-cost ka njoftuar shtimin e linjave ajrore, por edhe shtimin e flotës së vet në këtë aeroport. Sigurisht që ky është një sinjal shumë i mirë për aviacionin në Shqipëri, pasi vazhdon me rritjen e tij dhe kjo është falë edhe gjithë punës që ka bërë qeveria shqiptare gjatë gjithë këtyre viteve”, u shpreh Karakaçi.

“Sigurisht kemi ecur me liberalizimin e linjave duke futur tashmë edhe linjat atë që quhen low-cost. Po ashtu kemi ulur tarifën për pasagjerë nga 10 euro në 1 euro, që sot aktualisht është ndër më të ultat në rajon dhe në Europë. Dhe sigurisht të gjitha këto kanë bërë të mundur që aeroporti i Rinasit të jetë më i madhi në rajon. Shifrat tregojnë që trafiku ajror në vitin 2026 parashikohet të jetë rreth 18.3% më i madh se viti 2025. Ne nuk krahasohemi fare me shifrat e vitit 2019, siç bëjnë shumë shtete të tjera, pasi në krahasim me vitin 2019, ne jemi mbi trefish të trafikut ajror”, tha ai.

Ai nënvizoi gjithashtu investimet e kryera nga Albcontrol në kapitalin njerëzor dhe teknologji, me qëllim garantimin e menaxhimit dhe navigimit të sigurt të trafikut ajror në kushtet e rritjes së numrit të fluturimeve.

“Sigurisht për të bërë të mundur kontrollin dhe navigimin e trafikut ajror, nga ana e Albcontrol, Shoqërisë Shtetërore të Trafikut Ajror, janë bërë të gjitha investimet e nevojshme, si nga ana e kapitalit njerëzor, por edhe nga ana e teknologjisë, që ky trafik të vazhdojë dhe të menaxhohet në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha ai.

Një tjetër element i veçuar nga ministri ishte fakti se objektivi për përpunimin e mbi 13.5 milionë pasagjerëve gjatë vitit 2026 pritet të arrihet pa incentiva apo mbështetje financiare nga qeveria shqiptare për kompanitë ajrore, ndryshe nga praktikat e ndjekura në disa vende të tjera.

“Dhe sigurisht për mua ishte kënaqësi të prisja me përfaqësuesin e linjës ajrore, por edhe të aeroportit dhe të dëgjuar të gjitha planet e zgjerimit dhe një lajm tjetër po ashtu domethënës për trafikun ajror në Shqipëri është këto nivele që ne parashikojmë të mbyllim në vitin 2026 me përpunimin e mbi 13.5 milionë pasagjerëve, janë bërë pa asnjë incentivë mbështetëse financiare nga ana e qeverisë shqiptare, siç ka ndodhur edhe në shtetet e tjera”, tha ai.