Nga Namir Lapardhaja
Në fund të tragjedisë Makbeth ka një skenë të çmendjes së zonjës Makbeth, e cila pasi ka cytur dhe bashkëpunuar me të shoqin në vrasjen e Mbretit, në fund çmendet, por nuk është çmendje si gjithë të tjerat. Është një çmendje që ka ardhur “nga prishja e gjumit të pafajshëm” dhe janë vegimet që i dalin përpara dhe nuk e lënë të qetë, duke e çuar drejt çmendjes dhe fundit të pakthim. Madje, doktorit i duhet të pranojë që sëmundja e saj është jashtë kufijve të shkencës dhe të njohurive të tij.
I vijnë ndër mend njollat e gjakut të mallkuar, errësira e natës e kryerjes së krimit, Makdafi që kish një grua, Bankoja që është varrosur dhe nuk mund të dalë jashtë varrit etj nga ato që kishte kaluar për t’u ngjitur në majë.
M’u kujtua sot kjo tragjedi madhështore e trajtimit të ambicies së pakufishme për pushtet, kur dëgjoja një politikan që këlthiste në televizor: merrini florinjtë e mi…, fabrikat e mia…, ti marrë e t’ia çojë popullit…Nuk kam asnjë merak… Kam dhe një motër që ma ka falur zoti…, se po më kujdeset për prindërit e mi…
Është i pavdekshëm Shekspiri, mendova me vete, që bën të përsëritet historia dhe realiteti të imitojë artin, ku zonja Makbeth ka veshur pelerinën e personazheve që janë marrosur nga frika e Dumanit dhe mendja e tyre është arratisur në thellësitë e malësisë së korrupsionit, ndërsa ndërgjegjja e tyre del përditë në televizor dhe zbulon vetveten.