Eksperti kryesor i klimës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) thotë se njerëzimi ka dy vjet kohë për të zbutur efektet më të këqija të ngrohjes globale.

Sekretari Ekzekutiv i OKB-së i Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, Simon Stiell, e bëri këtë deklaratë në një event publik në Londër. “Kush ka saktësisht dy vjet për të shpëtuar botën? Përgjigja është çdo person në këtë planet”, citohet ai. “Ne ende kemi një shans për t’i ulur emetimet e gazeve serrë, me një gjeneratë të re planesh kombëtare të klimës. Por këto plane më të forta na duhen sot”, tha Stiell.

Dy vitet që ai ka vënë si kufi kohor janë më pak sesa ajo që kanë parashikuar ekspertët e klimës. Sipas këtyre të fundit, bota duhet të reduktojë në mënyrë drastike emetimet e gazrave serrë deri në vitin 2030, në mënyrë që temperaturat në mbarë botën të mos rriten mbi 1.5 gradë Celsius.

Arritja e këtij pragu do të thotë stuhi më të forta, valë përvëluese të nxehti, më shumë dëme në bujqësi dhe sëmundje të tjera për planetin. Fatkeqësisht, emetimet e CO2 të lidhura me energjinë arritën një nivel të ri vitin e kaluar.

Shkencëtarët kohët e fundit kanë eksploruar zgjidhje radikale, nga projekti i kapjes së karbonit deri te teknika e diskutueshme e gjeoinxhinierisë diellore, e cila në thelb përfshin spërkatjen e atmosferës me grimca me shpresën për të zbehur efektet e ngrohjes së diellit dhe për t’i mbajtur temperaturat globale më të ulëta.