Liverpooli përballë Fulhamit të dielën në transfertë, takim që duhet fituar me çdo kusht për të lënë pas zhgënjimet e periudhës së fundit. Dhe për të vijuar garën për titullin kampion me Cityn dhe Arsenalin.
The Reds renditen në vendin e dytë me dy pikë më pak se skuadra e Pep Guardiolës, por në Premier League mund të ndodhë gjithçka. Dhe gara për titullin pritet e zjarrtë deri në javën e fundit.
Jurgen Klopp, i cili në verë do të nisë pushimet, shpreson ta mbyllë me fitimin e kampionatit aventurën e tij të mrekullueshme në “Anfield”. Përpara duelit ndaj skuadrës ku bën pjesë edhe Armando Broja, trajneri gjerman i The Reds u ndal te situata e djemve të tij, duke kërkuar reagimin e nevojshëm prej tyre.
“Fatkeqësisht, të gjithë kemi pasur mundësi të mjaftueshme për të mësuar me kalimin e viteve. Nuk ka një sezon ku nuk ka pasur momente ku kemi menduar: ‘Duhet të kishim fituar, duhet ta kishim bërë’, ose diçka e tillë.
Është një pjesë e vazhdueshme e jetës sonë, janë vështirësi me të cilat duhet të përballemi. Kurrë nuk ka rëndësi sa grushte merr, rëndësi ka si i menaxhon dhe sa prej tyre lejon… Kështu kemi bërë gjithmonë, kështu i kemi kaluar vështirësitë. Do të gjejmë një mënyrë për të qenë pozitivë. Por kemi përballë është kundërshtarë, që gjithashtu kanë objektivat e tyre.
Kjo është sfida e futbollit: kurrë nuk luajmë vetëm për veten tonë, kemi gjithmonë një kundërshtar përballë për të mundur. Ne duhet të sigurohemi që të kthehemi përsëri Liverpooli që askush nuk do të donte ta kishte kundër”, u shpreh Klopp.