Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Blendi Klosi, gjatë një komunikimi sot për mediet nga Fieri, u shpreh se forca politike që ai përfaqëson ka dëshmuar qartë se është pro votës së emigrantëve. Sipas Klosit, vizioni i Partisë Socialiste “Shqipëria 2030”, nuk mund të bëhet pa diasporën.
“Partia Socialiste e ka shprehur qartë vullnetin e saj për votën e emigrantëve dhe është reflektuar ky vullnet edhe në kodin elektoral. Si parti e madhe, si parti që punon dhe që përgatitet për të gjitha betejat që kemi në vazhdim, edhe në kuadër të rienergjizimit të gjithë jetës shqiptare, ne do të jemi në një tur takimesh edhe në diasporë për të strukturuar bisedën me qytetarët tanë, për të dëshmuar se ajo çfarë kemi bërë në Shqipëri dhe ajo që kemi propozuar për të bërë në Shqipëri në kuadër të vizionit tonë “Shqipëria 2030”, nuk mund të bëhet pa kontributin e madh që japin vëllezërit dhe motrat që jetojnë prej shumë vitesh në diasporë dhe që lidhja me Shqipërinë vijon të jetë shumë e fortë”, tha Klosi.
“Ne do të jemi në katër takime. I pari takim do të jetë më 12 maj në Athinë. Kemi ftuar të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë atje. Takime do të jenë nën sloganin “Krenari për Shqipërinë”; më 26 maj në Milano dhe më pas në Londër dhe Mynih, për të paraqitur vizionin tonë Shqipëria e vitit 2030 për të cilën kërkojmë mbështetjen edhe të emigrantëve shqiptarë”, përfundoi Klosi.
Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste Blendi Klosi, i shoqëruar nga drejtuesi politik i PS në qarkun Fier, mori pjesë të shtunën në mbledhjen e Këshillit Koordinues të Qarkut, për të paraprirë fazën e dytë të procesit zgjedhor brenda Partisë Socialiste.
Klosi tha se Partia Socialiste ka aleancë vetëm me qytetarët dhe prandaj është fokusuar tek procesi i rienergjizimit, përmes së cilit PS iu shtuan 33 000 anëtarë të rinj në 2 muaj.
“PS ka dëshmuar, se e kemi të deklaruar, se aleanca jonë e vetme është aleanca me qytetarët. Për këtë arsye ne po përpiqemi të strukturojmë edhe veten tonë. I gjithë ky proces rienergjizimi, na dëshmoi se realisht kemi shumë nevojë për djem dhe vajza të rinj, për të shtuar anëtarët e rinj të strukturave tona, për të riorganizuar partinë, dhe qëllimi i takimit sot në Fier është përgatitja e procesit të zgjedhjeve brenda Partisë Socialiste në datat 10-11 maj, ku në dy ditë do të kërkohet nga e gjithë trupa e PS për të votuar dhe për të zgjedhur delegatët e Kongresit tonë, me mandat katërvjeçar, me parimin një anëtar, një votë”, tha Klosi.
“Pra, ne do të thërrasim të gjithë anëtarësinë që të zgjedhin me votë demokratike delegatët e kongresit, i cili do të jetë kongres zgjedhor nga ku do të zgjidhet dhe Asambleja e re e PS. Në kuadër të rienergjizimit do të kemi dhe disa kritere, duke nisur nga barazia gjinore, delegatët e zgjedhur nga vota e anëtarësisë e barabartë. Pastaj do të kërkojmë të kemi prurje të reja në këtë proces. ¾ do të jenë të rinj, pra delegatë që s’kanë qenë më parë pjesë e kësaj trupe të PS. Do të kemi prurje të reja që vijnë nga ky proces i madh. Dua të them se 33 000 anëtarë të rinj, PS i anëtarësoi në dy muaj”, nënvizoi Klosi.
Ndërsa, Balla në fjalën e tij tha se forca e Partisë Socialiste është tek organizimi.
“Jemi në Fier, në mbledhjen e Këshillit Koordinues të Qarkut, për të paraprirë fazën e dytë të procesit zgjedhor brenda Partisë Socialiste, pasi kemi përmbyllur gjithë zgjedhjet në organizatat në PS, me kryetarët dhe bashkëkryetarët, tani jemi në fazën tjetër, atë të zgjedhjes së delegatëve, ku 13200 anëtarë të PS së qarkut Fier, anëtarë aktivë, do të marrin pjesë në këtë proces zgjedhor për të zgjedhur 132 delegatët e PS, për në Kongres, i cili do të njoftohet nga mbledhja e ardhshme e Asamblesë Kombëtare”, tha Balla.
Sipas tij, ky është një proces, “i cili tregon qartë forcën organizative, proces i cili bazohet në barazinë gjinore. Delegatët do të jenë 50% gra e vajza dhe 50% djem e burra, e po ashtu, me vendim të Asamblesë Kombëtare, kemi vendosur një standard, që të rinjtë e të rejat të kenë mundësi të bëhen pjesë me kriterin që 3/4 e kandidatëve për delegatë të jenë për herë të parë”.
“Vlerësoj punën e Sekretariatit, ishte intensive, si dhe anëtarët e Asamblesë Kombëtare, që ishin pjesë e këtij takimi, të cilët kanë monitoruar me shumë përgjegjësi të gjithë këtë procesi dhe shkojmë në fazën e dytë të zgjedhjeve në 10 dhe 11 maj”, përfundoi Balla.