Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e shoqëruar edhe nga Drejtoresha e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Alma Cani, ka parë nga afër investimin më të fundit me pajisje mjekësore bashkëkohore në Shërbimin e Okulistikës në Spitalin Francez në QSUNT.
Pajisjet janë teknologjia më e avancuar e vitit të fundit dhe tërësisht digjitale, falë të cilave arrihet të shmangen ndërlikimet postoperatore, por nga ana tjetër bëjnë të mundur të trajtohen edhe ndërlikime të mundshme pas ndërhyrjeve kirurgjikale.
Ministrja Koçoiu theksoi se tashmë ky pavion pajiset me aparaturat më të avancuara dhe që përbëjnë risi pasi hyjnë për herë të parë në shërbimin shëndetësor publik duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm drejt përmirësimit dhe zgjerimit të gamës së shërbimeve për qytetarët me të njëjtat standarde dhe aparatura si në klinikat më të specializuara të botës.
Ajo nënvizoi se me këtë investim madhor, plotësohet e gjithë gama e ekzaminimeve për shërbimet okulistike, diagnostikuese dhe ndërhyrjeve kirurgjikale në Shërbimin e Okulistikës.
Ministrja Koçiu u ndal edhe në një nga ambientet e ndërhyrjeve kirurgjikale në të cilën do mund të kryhen ndërhyrje për heqje të perdes së syrit ose kataraktës nëpërmjet aparaturës moderne që mundëson edhe shmangien e infeksioneve gjatë dhe post-operatore.
“Infrastruktura që tashmë kemi krijuar me aparaturat e reja mjekësore, krijon mundësinë mjekëve tanë për ofrimin e shërbimeve të reja mjekësore që nuk janë realizuar më parë”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë.
“Është një nga sallat që nuk ka ndryshim nga një sallë në Francë apo Amerikë”, u shprehën mjekët okulistë të cilët vlerësuan se pajisjet e reja u mundësojnë saktësimin e diagnozës në një kohë të shkurtër te pacientët, veçanërisht te ata me diabet.
“Dëmtimet e retinës sidomos nga dibeti janë shumë të shpeshta. Kemi shumë të sëmurë me komplikacione të tilla dhe pa këtë nuk mund të dallonim as diagnozën por edhe stadin dhe çfarë mjekimi do të bësh”, theksoi një prej mjekëve.
Në Shërbimin e Okulistikës janë instaluar 4 pajisje të teknologjisë së fundit për operacionet e kataraktës, Phaco nëpërmjet të cilës mjekët mund të kryejnë ndërhyrje edhe në retinë; diode lazer, një aparaturë e cila shërben për trajtimin e retinopatisë diabetike dhe patologji të tjera ; skaneri i syrit, një aparaturë që futet për herë të parë në shërbimin publik dhe përdoret për zbulim të edemës makulare, në retinopatitë diabetike dhe ofron imazhe me rezolucion të lartë dhe të shpejtë në prerjet e nervit optik, retinës etj; si dhe mikroskopi operator që rrit saktësinë në ndërhyrjet kirurgjikale. Kjo aparaturë është veçanërisht e rëndësishme në operacionet okulistike ku saktësia e nivelit milimetrik mund të ndikojë ndjeshëm në rezultatet e pacientit.