Nga Mero Baze
Prej dje mbasdite lajmi se Sali Berisha do të shkonte si dëshmitarë në Komisionin hetimor për TIMS, drejtuar nga Salianji pushtoi gjithë median. Madje për tu bërë dhe si një gjyle më e rënd, shoqërohej me “faktin” se këtë e kishte miratuar dhe Blerina Gjylameti si deputete socialiste.
Në të vërtet lajmi nuk kishte të bënte aq shumë me nevojën për të qenë Sali Berisha dëshmitarë në këtë komision hetimor.
Qëllimi ishte së pari që Berisha të shkonte në zyrat e Kuvendit, dhe të konsiderohej që kishte marrë pjesë në punimet e Kuvendit duke thyer mungesën gjashtë mujore që mund ti rrezikoj mandatin dhe së dyti ti jepej mesazh Gjykatës Apelit që do merrte sot vendimin për masën e sigurisë së Berishës.
Në të dyja rastet krijimi i idesë së një “paqeje” mes socialistëve dhe Berishës, e krijonte klimën për një vendim më pozitiv, dhe nga ana tjetër i jepte një argument të diskutueshme avokatëve të Berishës të interpretojnë faktin nëse i duhet djegur mandati pas gjashtë muajsh apo jo, pasi mund të quhej pjesëmarrje në Kuvend shkuarja në Komision.
E gjithë kjo u bë e qartë kur socialistët sot u shprehën qart që nuk kishin dhënë dakordësinë për pjesëmarrje të Berishës si dëshmitarë pasi mungesa 24 orëshe e një qëndrimi të qartë nga Partia Socialiste mund të krijonte një perceptim të përmbysur të situatës lidhur me një marrëveshje të heshtur mes tyre.
Kjo ngjarje nxjerr në dritë një problem serioz që kanë socialistët për të bërë politikë në nivelin parlamentar, duke ja lënë gjithë aksionin politik Edi Ramës.
Dhe ky nuk është rasti i vetëm. Në disa raste sic ishte ai i marrëveshjes me Gazmend Bardhin apo historia me amnistinë, dukej se socialistët rrezatonin disa ngjyra në qëndrimet e tyre. Fjala vjen Gjiknuri dukej më i lumtur që po e bënte reformën elektorale me Gazmend Bardhin dhe jo me Alibej, për të mos thënë pastaj që Ulsiu Manja dukej se kishte zbuluar Gazmend Bardhin, pas miratimit të amnistisë dhe i kërkonte Alibej të merrte shembull nga ai si bashkëpunohej me socialistët.
Kjo qasja emocionale dhe pazaret e vogla ndonjëherë dhe proceduriale, krijojnë një lloj konfuzioni politik rreth asaj se kush janë të preferuarit e socialistëve në opozitë.
Natyrisht që nuk ka ndonjë recetë se me kë mund të bien në dashuri deputet të veçantë socialistë, por ka dhe duhet të ketë një vijë qëndrimi politik rreth bashkëpunimit me partinë e “non grata” dhe ajo vijë nuk duhet shkelur, pavarësisht se mund të të pëlqej Gazmend Bardhi, se mund ta kesh inat Alibej se nuk të flet në kafe, apo se nuk të duket djalë i keq Shkëlzeni kur të bën ndonjë pagesë tek biznesi familjar.
Politika e një partie të madhe në pushtet, nuk është çështje preferencash personale. Ajo ka përgjegjësinë e partisë në pushtet dhe për më tepër në një betejë me elementët antiperëndimorë të Shqipërisë, ajo ka dhe detyrimin të mos ta relativzoj vijën e kuqe të mosbashkëpunimit me ta, për asnjë arsye.