Nga Endri Kajsiu/
Me ftesë të presidentit Emmanuel Macron, Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë zyrtare në Paris. Gjatë ditës së djeshme mori një vëmendje të veçantë nderimi që iu bë kreut të qeverisë në Oborrin e Nderit të “Les Invalides”, një kompleks i mirënjohur muzeal dhe monumentesh.
Një detashment i përbëre nga orkestra e Gardës Republikane dhe tri toga te regjimenteve të Këmbësorisë së Gardës Republikane, pritën me nderime ushtarake Kryeministrin, bashkëshorten e tij dhe delegacionin shqiptar.
Vizita e Ramës vjen pak ditë pas një vizite të Presidentit serb Aleksandër Vuçiç në Paris dhe takimi me presidentin Macron, por të dyja vizitat dallojnë nga njëra tjetrën në një pikë thelbësore, në pritshmëritë, rezultatet dhe frytet e agjendës së liderëve në Paris.
Lajmi i vetëm nga takimi i Vuçiç me Makron në Paris, ishte ai për 12 aeroplanë luftarakë francezë, Rafale, që Serbia do të blejë nga Franca.
Sipas asaj që pati deklaruar vetë Vuçiç më herët, pagesa e Serbisë për avionët francezë arrinte në 3 miliardë euro.
E kundërta ka ndodhur me vizitën e Kryeministrit shqiptar.
Përgjatë vizitës së tij mësuam për disa marrëveshje bashkëpunimi, mes të cilave edhe nënshkrimi i një huaje prej 120 milionë eurosh që Franca mundëson për reformën mjedisore në Shqipëri.
E thënë thjesht, duket se Vuçiç shkoi në Paris për të dhënë para, ndërsa Rama, për të sjellë diçka në shtëpi.
Një tjetër rezultat i kësaj vizite ishte edhe mbledhja inaguruese e Këshillit të Inovacionit Francë-Shqipëri, me pjesëmarrjen e operatorëve të ndryshëm franceze e shqiptarë në fushën e inovacionit, që pritet të fuqizojë bashkëpunimin në fushën e inovacionit dhe ekonomisë në Shqipëri.
Por klima e ndryshme e vizitave të dy liderëve, shquhet edhe përgjatë konferencave të tyre për shtyp me Presidentin Macron.
Përpara mediave, Macron i bëri thirrje Vuçiçit që Serbia të respektonte zotimet e saj në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, proces ky që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian.
Ndërsa mesazhin për përkatësinë e rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE, Macron e rezervoi për një moment tjetër, ditën e konferencës me Edi Ramën.
Duke marrë si shembull, reformat dhe kapacitetet e Shqipërisë në rrugën drejt BE, Macron përsëriti “angazhimin e Francës në favor të jo vetëm angazhimit Europian të Shqipërisë, por dhe më gjerë, të lëvizjes që Europa ka për Ballkanin Perëndimor”.