Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro është ftuar në konferencën ndërkombëtare dyditore “Oqeani ynë” e cila po mbahet në Athinë, ku ka prezantuar modelin e Shqipërisë mbështetur tek zhvillimi i qëndrueshëm.

Ministrja Kumbaro ishte folëse në panelin kushtuar turizmit të qëndrueshëm dhe ekonomisë blu, së bashku me homologen greke Olga Kefalogianni dhe ministra e sipërmarrës të industrisë së Turizmit.

Kumbaro u shpreh se Shqipëria është një vend që nuk ndot në nivel global dhe ka energji 100% të rinovueshme, teksa po ndërton një model të turizmit të qendrueshëm. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit u ndal te modeli i i lumit Vjosa i mbrojtur si Park Kombëtar, ku tashmë do të nisë edhe projekti për pastrimin dhe trajtimin e ujërave të ndotur që derdhen në të.

“Lumi Vjosa, i cili nis këtu në Greqi, nga malet e Pindit, nuk është vetëm një Park Kombëtar, por një simbol i rëndësishëm, sepse Shqipëria si vend i vogël, që nuk ndot askënd, mund të krijojë modele dhe simbole. Për vendet e vogla koncepti i qëndrueshmërisë, nuk është një luks, por mënyrë jetese. Dhe sfida është: Si të mbrojmë bashkëjetesës mes natyrës, biodiversitetit dhe njerëzve?

Dhe në Shqipëri, me 21.5 % të sipërfaqes së zonave të mbrojtura, njerëzit janë pjesë e ekosistemeve, prandaj ekoturizmi dhe turizmi i natyrës nuk janë thjesht mënyrë për të krijuar të ardhura, për të zhvilluar ekonomi por për t’u dhënë njerëzve që jetojnë aty prej shekujsh një mundësi për të jetuar e për të mos e braktisur atë vend.

Kjo është Shqipëria me 2.8 milionë banorë që priti më shumë se 10 milionë turistë të huaj në vitin 2023 duke promovuar zonat e Mbrojtura, biodiverstietin, duke e shpërndarë turizmin në gjithë vendin. Ne nuk konkurrojmë askënd, por ndajmë të njëjtën hartë turistike ku qëndrueshmëria do të jetë flamuri ynë i përbashkët”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Ajo tha se Shqipëria e ka në fokus mbrojtjen e cilësisë së ujërave, jo vetëm me projektin e trajtimit të ujërave të ndotura që derdhen në Vjosë nga 8 bashki, por edhe me të gjitha masat që të gjitha strukturat buzë detit duhet të zbatojnë për të rritur cilësinë e ujërave larës, te projekti “EU4Rivers” me Bashkimin Europian dhe iniciativat ligjore që reduktojnë plastikën njëpërdorimshe, siç ishte rasti i ndalimit të qeseve plastike njëpërdorimshe dhe së shpejti miratimi i ligjit për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit.

Konferenca “Oqeani ynë” ka mbledhur bashkë ministra dhe politikanë të nivelit të lartë nga e gjithë bota, ndërsa i ftuari i nderit ishte ish-sekretari amerikan i Shtetit John Kerry që përshëndeti eventin duke folur mbi planet e përbashkëta për menaxhimin efektiv dhe zonat e mbrojtura ujore.

Edicioni i nëntë i kësaj konference që po zhvillohet në Athinë ka për qëllim evidentimin e rolit kryesor që ka Mesdheu në formësimin e dialogut për ruajtjen e oqeanit. Me pjesëmarrjen e shteteve dhe aktorëve joqeveritare, kjo ngjarje synon ndërmarrjen e angazhimeve konkrete për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e oqeanit, që derivojnë nga fushat problematike të diskutuara gjatë konferencës.