Gjyshja e 3-vjeçarit, e cila u fsheh bashkë me nipin prej disa ditësh, është arrestuar nga policia e Durrësit.
Zonja Gjuni e ka dorëzuar vetë ditën e sotme vogëlushin në polici. 3-vjeçari prej ditësh rezultonte i humbur në Durrës, gjë që detyroi mamanë e të miturit të bënte denoncimin në polici, duke akuzuar gjyshërit se se kishin marrë, që prej ditës së shtunë.
Rexhep Gjuni dhe kunati i tij, (vëllai i gjyshes) ndodhen në arrest me burg, masë që iu caktua dje nga Gjykata e Durrësit. Në deklaratën e gjyshit në polici zbulohet se ka thënë që nipi i bën të mos ndjejë mungesën e djalit të vdekur (babai vogëlushit).
Ille Gjuni doli nga Policia e Durrësit me djalin në krah, ku u shpreh se djali është mirë. Ajo tha se nuk e di se ku e kanë mbajtur vogëlushin e saj Amar, por ndërkohë do të vendosë gjykata nëse gjyshërit do e marrin sërish.
“Çuni është shumë mirë në duar të sigurta. Nuk e di ku e kanë mbajtur. I kam përjetuar shumë keq këto ditë. Mediave dhe policisë shumë faleminderit. Tani po ikim në shtëpi. Të lutem nuk jam mirë Gjyshërve nëse di t’ia jap e vendos gjykata”, tha ajo teksa largohej.
Ille Gjuni 22 vjeçe e ka fëmijë të vetëm, djalin 3 vjeç. Ajo deklaroi se pas vdekjes së të shoqit në aksident e dërgonte djalin te gjyshërit, por pas vizitës të gjyshërit nuk e kthyen më te e ëma. Bashkëshorti i saj vdiq në shkurt të vitit 2023.