Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka rënduar akuzat ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani, pak orë pasi KLP-ja dhe ambasada amerikane e mbështetën atë publikisht.

Në një konferencë për shtyp ai tha se Dumani i kishte çuar njerëz për t’i thënë të largohet nga vendi, por tha se do ta vijojë luftën e tij edhe nga burgu.

“Mbështes deklaratën e ambasadës së SHBA. Dje ua sqarova si është krijuar KLP-ja. është krijuar mbi bazën e emërimeve të bëra nga Arta Marku që u bë prokurore me 69 vota. Miqve dhe aleatëve ua kam thënë me kohë “prokurorinë e keni ju dhe Edi Rama”. Vijmë te ‘Dumdumani’. U kërkoj ndjesë prokurorëve të SPAK që nuk janë si ai. Te SPAK ka Dumdumanë, ka edhe njerëz që luftojnë krimin dhe korrupsionin. Kam bërë deklaratë solidariteti për prokuroren që ishte kërcënuar nga banditët. I them Dumdumanit 3 herë ke përmendur emrin tim që po më heton mua. Ke çuar njerëz që të më thonë të iki nga Shqipëria”, tha Meta.