Gjykata e Lartë nuk pranon rekursin e Monika Kryemadhit për heqjen e sekuestros së telefonit
Telefoni i Kryemadhit u vu në sekuestro pasi SPAK ka nisur hetime pas disa kallëzimeve ndaj saj dhe personave të lidhur me të përfshi ish-presidentin Ilir Meta.
Kryemadhi e kundërshtoi sekuestron fillimisht në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, por u rrëzua. Të njëjtin fat pati dhe ankimimi në Apel i cili e gjeti të drejtë sekuestrimin duke lënë në fuqi masën.
Ndërsa sot mësohet se as Gjykata e Lartë nuk ka pranuar rekursin.
Nuk konfirmojnë zyrtarisht për çfarë bën fjalë konkretisht sekuestrimi i telefonit, i cili u bë në kuadër të sekuestrimit të një sërë pajisjesh kompjuterike dhe provash të tjera por në seancën e GJKKO-së që u mbajt më 7 dhjetor 2023, Kryemadhi u përfaqësua nga avokati i saj Redi Llanaj, ndërsa SPAK përmes prokurorit Sotir Kllapi i cili heton çështjen e lobimit të LSI në SHBA. Objekti i këtij hetimi janë pagesat e kryera në vlerën 300 mijë USD, nga Ish-LSI, për vizitën e Ilir Metës e Petrit Vasilit në inagurimin e Donald Trump si president ne 2017.