Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, prezantoi të enjten në Kuvend pr/ligjin, që i jep zgjidhje problematikës së mungesës së përkthyesit zyrtar për gjuhët e rralla. Manja në fjalën e tij gjatë seancës plenare, tha se ndryshimet ligjore në ligjin për “Profesionin e Përkthyesit zyrtar”, tha se ndryshimet do të ketë efektë pozitiv dhe të shpejtë në rregullimin e problemit të mungesës së përkthyesve zyrtarë, për sa i takon gjuhëve të rralla.

“Objektivi i ndryshimeve ligjore është sigurimi i shërbimit të përkthimit zyrtar edhe për ato gjuhë për të cilat ky shërbim nuk mund të ofrohet për shkak se deri më tani nuk ka përkthyes zyrtar të certifikuar”, tha Manja. Sipas tij, në rastet kur ka mungesë të përkthyesve zyrtarë institucionet mund t’i drejtohen institucioneve diplomatike në vendin tonë.

“Vlen të theksohet se projektligji parashikon një mekanizëm të ri në rastet kur mungojnë përkthyes zyrtarë, ku për nevoja të ushtrimit të kompetencave të ministrisë apo organeve që ligji u ka njohur të drejtën për përkthim zyrtar, ata të mund të kërkojnë ndihmën e misioneve diplomatike ose posteve konsullore, organizatave ndërkombëtare që ushtrojnë veprimtarinë në Republikën e Shqipërisë ose institucioneve të Bashkimit Evropian, ose autoriteteve të tjera të huaja”, u shpreh Manja.

“Përmes këtyre zgjidhjeve synohet që të garantohet e drejta kushtetuese për të komunikuar në gjuhën që kupton, e çdo personi që nuk di gjuhën shqipe, që gjatë hetimit të një çështjeje penale, si dhe gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore civile, penale ose administrative, sipas parashikimeve të legjislacionit procedural në fuqi ose gjatë shqyrtimit të çështjeve nga Gjykata Kushtetuese”, vijoi Manja. “Efekti i pritshëm i këtij parashikimi do të jetë ofrimi i shërbimit të përkthimit sa më shpejt të jetë e mundur përmes angazhimit të personave të tjerë që nuk janë përkthyes zyrtarë, mbi bazën e marrëveshjes”, vijoi Manja.

Ministri i Drejtësisë tha se ndryshimet ligjore lehtëson procedurat e certifikimit për përkthyes zyrtarë. “Gjithashtu, me qëllim lehtësimin e procedurave dhe kostove të personave që do të ushtrojnë profesionin, është parashikuar ndërhyrja në dispozitat mbi pajisjen me vulë dhe kartë identifikimi të përkthyesve dhe interpretëve. Në këtë mënyrë këto subjekteve do të kryejnë vetë të gjitha veprimet për t’u pajisur sa më parë me vulën dhe kartën e identifikimit, pa pasur nevojë që të shpenzojnë kohë dhe mjete financiare për t’iu drejtuar Ministrisë së Drejtësisë”, theksoi Manja.

Ministri i Drejtësisë u shpreh se “miratimi i këtij projektligji përbën një domosdoshmëri me qëllim zbatimin efektiv të kuadrit ligjor mbi përkthimin zyrtar, ndaj ju ftoj të votoni pro tij”. Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, tha po ashtu se ky pr/ligj merr një rëndësi të veçantë edhe në kushtet rritjes së fluskit të turistëve të huaj nga e gjithë bota, të cilët mund të duan të marrin shërbime të caktuara në vendin tonë.