Punësimi i të miturve që përfundojnë dënimin, si mundësi për ririntegrimin e tyre në shoqëri, ishte në fokus të diskutimeve të tryezës së zhvilluar sot nga Bashkia e Lezhës dhe Zyra e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) në Shqipëri. Pjesë e tryezës ishin dhe përfaqësues nga Qendra për Parandalimin e Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve, si dhe institucione të tjera përgjegjëse për tematikën e diskutuar. Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, në një postim në rrjetet sociale, u shpreh se institucioni që ai drejton është i angazhuar në ndërmarrjen e politikave që synojnë një drejtësi restauruese për të miturit në konflikt me ligjin.

“Në tryezën e organizuar nga bashkia Lezhë dhe UNICEF Albania, ku Qendra jonë për Parandalimin e Krimeve të të Miturit dhe të Rinjtë së bashku me institucionet e tjera përgjegjëse dhe përfaqësues nga biznesi, diskutuan mbi mundësitë e punësimit të të miturve që përfundojnë dënimin, si pjesë e angazhimit tonë për një drejtësi restauruese që u ofron një mundësi të dytë të rinjve në konflikt me ligjin!”, shkruan Manja.

Aktiviteti vjen një ditë pasi ka hyrë në fuqi ligji i amnistisë, nga i cili përfituan lirimin nga institucionet e vuajtjes së dënimit penal 780 persona dhe 800 tjerë ulje dënimi. Ndërkohë, përfitues janë edhe 2662 persona në shërbim prove. Gjithashtu, nga kategoria e të miturve janë edhe 3 përfitues, ndërsa dy të tjerë patën ulje dënimi.