Diplomati austriak dhe ish përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në bisedimet në Rambuje, Wolfgang Petritsch, ka thënë se marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë janë të vlefshme meqë dakordësia për to është arritur para ndërkombëtarëve. Ai ka thënë se fjala e një kryeministri apo e një presidenti është e vlefshme aq sa nënshkrimi i tij, duke bërë të ditur se pëlqimi verbal nënkupton edhe vlefshmëri ndërkombëtare.

“Është praktikë evropiane, që në rastet kur dy politikanë të lartë, krerë të dy shteteve pajtohen dhe marrin zotime para dëshmitarëve ndërkombëtarë, që në këtë rast është Bashkimi Evropian, pra, kur ata japin një pëlqimin verbal për një çështje të caktuar para ndërmjetësve ndërkombëtarë, atëherë kjo marrëveshje është e vlefshme, pra, ka vlefshmëri ndërkombëtare. Këto marrëveshje, kjo në Bruksel dhe Ohër, ashtu si më pare, janë të vlefshme, dhe unë besoj se Brukseli do të zhvillojë takime të tjera me Beogradin, që ta detyrojë të njohë marrëveshjet dhe zotimet që ka marrë përsipër. Kjo marrëveshje tashmë është pranuar, sepse fjala e një presidenti apo një kryeministri, është po aq e vlefshme sa edhe nënshkrimi i tij”, është shprehur ai për Radio Kosovën. Sipas diplomatit austriak, Kosova është plotësisht në agjendat e politikave të përbashkëta të sigurisë në BE, duke theksuar se secili veprim i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, do ta mobilizonte NATO-n.

Sipas Petritschut, Vuçiçi s’do ta përsëriste gabimin e kasapit të Ballkanit, Slobodan Milosheviç, për të hyrë në luftë ndaj NATO-s.
“Po ju them me bindje të plotë dhe ju them se në Kosovë nuk mund të ketë luftë ashtu siç ndodhi me Millosheviçin. Por unë e them me brengë se incidente të tilla si ai në Banjskë, janë të mundshme dhe ato do ta zhvendosnin procesin paqësor shumë vite prapa. Diçka e tillë, duhet të pengohet patjetër dhe kjo gjatë këtij vit, pra vitit 2024, duhet të garantohet me praninë e KFOR-it në veri”, ka thënë ai.

Zyrtari austriak ka thënë se Rusia s’ka ndikim direkt në Kosovë, por është faktor “që shfrytëzon situatën që dëshiron të pengojë ndikimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor”. Sipas tij, Kosova është në rrugë të mbarë në integrimin evropian dhe pritet që të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.