Kryeministri Edi Rama, në intervistën për emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla në ABC News, foli edhe për marrëveshjet e nënshkruara mes qeverisë shqiptare dhe asaj franceze gjatë vizitës dy ditore në Paris. Kreu i qeverisë tha se me marrëveshjet, vendi ynë më shumë ka marrë sesa ka dhënë.
Pjesë nga intervista:
Balla: Ndalojmë pak te ceremoniali, ajo pjesë e qendrës ku është varrosur Napoleoni. Ishte një gjë e jashtëzakonshme, s’kisha parë kurrë atë lloj ceremoniali. Kjo për ju edhe vetë personalisht duhet të jetë një moment emocional i fortë. Ju e përmendët edhe vetë, keni ardhur këtu si student, si emigrant. Në gjuhën banale të Tiranës shpesh thuhet ‘ aa Edi Rama ka fjetur poshtë urave të Parisit’, por ishte një moment i fortë i përjetimeve personale.
Rama: Tani, mund edhe të kisha fjetur poshtë urave si shumë emigrantë dhe nuk ka absolutisht asnjë gjë të keqe përkundrazi është një sprovë e rrugës së shumë emigrantëve që e kanë filluar edhe poshtë urave, por nuk më ka ndodhur kjo gjë. Mund edhe të më kishte ndodhur.. për hir të të vërtetës, kam qenë një emigrant në komfort, sepse fitova një bursë për të qëndruar në Qendrën Ndërkombëtare, në qytetin ndërkombëtar të artit, pastaj pas asaj periudhe dy vjeçare mora një apartament goxha të këndshëm ku prisja edhe miq që të qëndronin në një rrugë të famshme të Parisit, pranë Bastijes dhe thënë kjo sigurisht që ku i sotmi ishte një emocion i veçantë. Ishte një emocion i fortë që e kam përjetuar në një farë mënyre kur erdha këtu në Paris, për të marrë ‘Legjionin e Nderit’, nga presidenti François Hollande dhe rruga drejt Elysee ishte një kthim në vitet 90 kur unë këto rrugë dhe këtë qytet e shikoja dhe admiroja bashkë me gjithë këto godina ku as nuk më shkonte mendja ndonjëherë se do hyja. Ndërkohë ‘Les Invalides’ është sot një destinacion nga më prestigjiozët i konceptuar dhe ndërtuar nga Luigji I XIV, mbreti Diell ku gjendet edhe varri i Perandorit, i Napoleonit edhe ku kryhen këto rituale të Republikës Franceze që në ritualet e veta protokollare dhe shtetërore është vendi që i ka dhënë shumë mësime dhe nga ku shumë kanë kopjuar në të gjithë botën.
Balla: Po se më kujtohet ju nga Parisi erdhët kur vdiq babai juaj i ndjerë, dhe ai ishte edhe momenti që u futët në politikë dhe sigurisht Parisi është edhe një cikli të rëndësishëm edhe në jetën tuaj personale politike. Ju thatë keni marrë titullin nga Hollande, por duket qartazi që me Emmanuel Macron keni një marrëdhënie super speciale. Tani duhet të na e shpjegoni pak këtë, pak ditë më parë ishte Presidenti serb, Vuçiç, i cili gjithashtu u prit me një ceremonial shumë prestigjioz. Ndryshimi i vetëm është se Vuçiç erdhi këtu pasi nënshkroi një marrëveshje për të blerë 12 avionë dhe i dha Francës 4 miliardë euro, ndërkohë mua më rezulton nga marrëveshjet e nënshkuara ju i morët Francës vec të tjera edhe 120 milionë euro. Tani shumë në Tiranë, mund t’i rikthehen përvojave të 2009 kur Sali Berisha për të marrë statusin e vendit kandidat, iu desh të blinte 5 helikopterë francezë dhe të falte CEZ-in dhe shumë mund të thonë, po ju çfarë po i jepni Francës që po merrni kaq shumë?
Rama: Edhe këto janë normale në marrëdhëniet mes vendeve, në fund të fundit, marrëdhëniet mes vendeve nuk janë marrëdhënie dashurie, janë marrëdhënie interesash, kështu kanë qenë dhe kështu do jenë gjithmonë shtetet kanë interesa, mbrojnë interesa, luftojnë për interesat e tyre dhe në këtë sens nuk do ishte çudi sikur të kishte ndodhur edhe kështu, por e vërteta është që ka ndodhur e kundërta. Ne këtu me këtë marrëveshje, më shumë kemi marrë se kemi dhënë. Ndërkohë që çka kemi dhënë nuk hyn në terma ..
Balla: Pra, ndonjë Sazan, ndonjë kamp refugjatësh…
Nuk hyn në terma të natyrës financiare, nuk hyn në terma të natyrës së ndonjë obligimi të posaçëm politik, por hyn një përpjekje shumë e madhe për të afruar Francën dhe për t’u afruar me Francën.