Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu deklaroi sot se turizmi ofron një shans unik për vendin, por, edhe një përgjegjësi gjithmonë edhe më të madhe për institucionet tona.
Gjatë fjalës së saj në Konferencën “Për sigurinë e turizmit në Shqipëri”, Koçiu u shpreh se institucioni i drejtuar prej saj ka një rol kyç në mbështetje të sektorit të turizmit dhe ka nisur me kohë përgatitjen për një sezon sa më të suksesshëm turistik. “Duke filluar nga data 1 qershor, për të përballuar fluksin e shtuar të turisteve, do të hapim 34 qendra shëndetësore verore ose 4 më shumë se një vit më parë, të shpërndara gjeografikisht në të gjithë zonat kyçe të frekuentuara nga turistët, nga Thethi e Korabi, deri në Ksamil. Qendrat e reja verore që do të çelen për herë të parë në 2024-n janë ato në Hamallaj, Radomirë, Jalë dhe Bogë”, nënvizoi ajo.
Koçiu tha se në veri të vendit do të funksionojnë 10 qendra, në Shqipërinë e Mesme 9 qendra shëndetësore dhe në zonën e jugut 15 të tjera. “Sa i përket këtyre qendrave sezonale, gjithashtu kemi marrë një tjetër masë të rëndësishme, duke zgjatur kohën e ofrimit të shërbimit me një muaj, nga 1 qershori në 30 shtator”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë duke bërë me dije se ka nisur puna edhe për rekrutimin e stafit mjekësor dhe gjithë kapaciteteve shtesë që do të jenë në dispozicion të pushuesve 24/7.
Gjithashtu, ministrja Koçiu bëri me dije se një tjetër masë kyçe është fuqizimi i kapaciteteve të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore. “Edhe këtë vit, e pajisur me mjekë, infermierë dhe të gjitha pajisjet jetëshpëtuese, Urgjenca do të vendosë në dispozicion të pushuesve 20 postacione fikse me autoambulanca në zonat turistike. Për herë të parë do të shërbejnë në këtë sezon motoambulancat, që janë në gjendje të shmangun trafikun dhe të shkurtojnë drastikisht kohën e marrjes së ndihmës së parë në raste urgjencash”, deklaroi ajo.
Koçiu shtoi se i gjithë sistemi ynë shëndetësor, me qendrat spitalore, spitalet rajonale dhe bashkiake, si dhe 400 qendra shëndetësore të rinovuara tërësisht i përgjigjet realitetit të një turizmi të zhvilluar në të gjithë territorin dhe gjatë të gjithë vitit.
Më tej, ministrja u ndal edhe në procesin e dezinsektimit për mushkonja dhe insektet e tjera, që ka nisur tashmë nga zona e Liqenit të Shkodrës dhe do të mbuloje 25% më shumë territor këtë vit.
Gjithashtu, vijoi ministrja, nëpërmjet Inspektoriatit Shëndetësor kemi marrë masa për të garantuar inspektimin periodik higjeno-sanitar të plazheve, pishinave apo akuaparqeve, për të siguruar standardet më të larta të pastërtisë dhe cilësisë.
Në përfundim të fjalës së saj, Koçiu tha se “në strategjinë tonë për zhvillimin e mëtejshëm të shëndetësisë, një vend të rëndësishëm zë edhe turizmi mjekësor, i cili është një ndër format e turizmit me rritjen më të shpejtë në vend. Falë edhe procesit të Autonomisë Spitalore, ne e shohim turizmin mjekësor si një shans për të gjeneruar më shumë të ardhura për sistemin tonë publik”.