Shkrimtari Salman Rushdie ka bërë një rrëfim tronditës për ngjarjen e rëndë që përjetoi 2 vite më parë, kur u godit me thikë në skenë. Autori fitues i çmimit Booker tha se syri i tij mbeti i varur poshtë fytyrës “si një vezë e zier butë” dhe se humbja e syrit “e mërzit atë çdo ditë”. “Më kujtohet se mendoja se po vdisja,” tha ai. “Për fat të mirë, gabova”. Rushdie tha se ai po përdor librin e tij të ri, Knife, si një mënyrë për të luftuar kundër asaj që ndodhi.
Sulmi ndodhi në një institut arsimor në shtetin e Nju Jorkut në gusht 2022, teksa ai po përgatitej të jepte një leksion. Ai kujtoi sesi sulmuesi erdhi “duke ngjitur shkallët me shpejtësi” dhe e goditi me thikë 12 herë, duke përfshirë në qafë dhe në bark, agresion që zgjati 27 sekonda. “Nuk mund ta kisha luftuar”, tha autori. “Nuk mund të kisha ikur prej tij”. Shkrimtari tha se ai ra në dysheme, ku u shtri me “një sasi spektakolare gjaku” rreth tij.
Ai u dërgua në një spital me helikopter dhe kaloi gjashtë javë duke u rikuperuar atje. Autori britaniko-amerikan me origjinë indiane, 76 vjeç, është një nga shkrimtarët më me ndikim të kohëve moderne. Sulmi dominoi titujt e lajmeve në mbarë botën. Ai më parë kaloi disa vite të fshehur pasi botimi i vitit 1988 i Vargjet Satanike shkaktoi kërcënime kundër jetës së tij. Shkrimtari pranoi se kishte menduar se dikush mund të “kërcej nga një audiencë” një ditë. “Është e qartë se do të kishte qenë absurde që të mos më kalonte në mendje.”, tha ai.
‘I mërzitur çdo ditë’
Sulmi dëmtoi mëlçinë dhe duart e Salmanit dhe i preu nervat në syrin e djathtë. Ai tha se humbja e një syri “më mërzit çdo ditë”. Ai zbulon se duhet të tregojë më shumë kujdes kur ecën poshtë shkallëve, ose kalon një rrugë, apo edhe kur derdh ujë në një gotë.