Gazetari Artan Hoxha i ftuar këtë të premte në emisionin Top Talk në Top Channel tha se kreu i PL, Ilir Meta dhe deputetja Monika Kryemadhi mund të arrestohen në çdo çast.
Ai u shpreh se nuk do të habitej që në çdo moment SPAK të paraqitej në Gjykatën e Posaçme Anikorrupsion për të kërkuar një masë sigurie ndaj tyre, pasi hetimet kanë ecur në Prokurorinë e Posaçme.
Sipas Hoxhës, SPAK ka tentuar disa herë të bëjë bashkëpunëtor Kastriot Ismailajn, por ai nuk ka pranuar.
“Kemi dy çështje që janë për zonjën Kryemadhi dhe një çështje që është për zotin Meta. Secila nga çështjet ka ecur goxha, nuk do të habitesha në çdo moment që SPAK do të paraqitej në Gjykatën e Posaçme për të kërkuar një masë sigurie, zoti Meta e di këtë gjë dhe këtë shpërthimin e menjëhershëm të zotit Meta, ai nuk e ka fshehur, e ka thënë qartazi dhe në daljet publike, sidomos për çështjen CEZ-DIA ai i ka përmendur me emër dëshmitarët kyç që ka SPAK për çështjen CEZ DIA.
Ka përmendur juristin Karaj, drejtorin ekzekutiv të DIA-s, ish kryetar i FRESSH, i LRI, njeri i afërt për shumë kohë i zotit Meta, Elvis Mata, edhe emrin e ish-bashkëshortes së Kastriot Ismailajt. Ndërkohë për zotin Ismailaj prokuroria ka tentuar disa herë për ta bërë bashkëpunëtor, por ai nuk ka pranuar sepse po e bënte burgun deri në fund. SPAK, nëse personazhet e tjerë që përmenda kanë folur, sepse ata janë marrë, drejtori di shumë gjëra aty brenda, nëse ata kanë dhënë dëshmitë e duhura, informacionin e duhur, është detyrë e SPAK për ta kompletuar këtë dosje”, tha Hoxha.