Kreu i Partisë së Lirisë Meta ka sulmuar SPAK-un duke i bërë thirrje që të hetojë kallëzimet që janë bërë, në të kundërt pasojat, sipas tij, do jenë fatale.

Në një mesazh për mediat nga selia e partisë, ai tha se Partia e Lirisë nuk mund të sekuestrohet, ndërsa përsëriti riorganizimin e forcës politike që drejton.

Ai paralajmëroi kryeministrin Rama kundër atyre që i quajti përpjekje për të marrë nën kontroll Partinë e Lirisë përmes “veglave të tij në në drejtësi, polici e në SHIK, apo dhe në krimin e organizuar”.

“Nuk kam asnjë lloj shqetësimi. Zonja Fatime është përgjigjur vetë më duket, se nuk i kam parë lajmet, se kam punë më të rëndësishme.

Zonja Monika përgjigjet vetë. Unë jam përgjigjur vetë. Duhet ta dijë SPAK-u, se nuk dua t’i them tarallaku, Partia e Lirisë nuk sekuestrohet.

Mund të sekuestrohet SPAK përpara, por Partia e Lirisë nuk sekuestrohet.

Të bëjnë hetime për kallëzimet që ne kemi bërë, sepse përndryshe pasojat ndaj tyre do jenë fatale.

Partia e Lirisë do ta nisë nga vetja, duke i dhënë fund organizimit me gënjeshtra, mbështetur mbi parime të hekurta, që jo vetëm e bëjnë të padepërtueshme këtë parti nga diversionet e Edi Ramës dhe veglave të tij, në drejtësi, polici e në SHIK apo dhe në krimin e organizuar, që ka qenë shumë i interesuar për të ndërhyrë dhe për të marrë drejtimin e Partisë së Lirisë”, tha Meta.