Nga Namir Lapardhaja
Ajo se çfarë ndodh në jetën private të njerëzve, qofshin këta edhe politikanë, është pa interes për publikun. Në kohën tonë, këtë “kuriozitet”, e heqin emisione të llojit “Big brother”, të cilët mishërojnë më së miri nevojën që ka qenia boshe për të parë jetën e tjetrit nëpërmjet vrimës së çelësit. Por ajo që po ndodh prej një periudhe të gjatë në familjen Meta-Kryemadhi, nuk mund të kalojë pa interesin e opinionit. Jo për atë se çfarë ndodh në jetën e tyre intime, por për të kuptuar atë se çfarë ndodh në jetën e tyre publike. Dhe nëse ka një përkufizim më të mirë për të përmbledhur atë se çfarë po ndodh në atë familje, është paniku i madh që i ka zënë nga SPAK-u.
Është e kuptueshme që në këtë panik pa fund dhe në këtë degradim emocional që shfaq herë pas here Ilir Meta, edhe SPAK ka “fajin” e tij, sepse, në vend që t’u japë fund hetimeve dhe të dalë në konkluzione, e zvarrit, me sa duket, qëllimisht hetimin e çështjes, si për t’u hakmarrë kështu jo për veten, por për dëmin që ka shkaktuar ai çift në jetën politike shqiptare.
Atë që nuk e bënë vitet e gjata dhe konsumi i kohës, po e bën paniku nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion, e cila, pavarësisht hakërrimeve dhe kërcënimeve, duket se nuk e ka bërë qejfin qeder dhe po i shkon çështjeve deri në fund me një qetësi kirurgjikale.
Ndryshmet që Ilir Meta synon t’i bëjë statusit të partisë së tij, por edhe prononcimet e tij të herëpashershme se nuk mban asnjë përgjegjësi për bashkëshorten e tij, i ngjajnë atyre ndarjeve të “detyruara” në komunizëm, ku një prej bashkëshortëve ishte i detyruar të ndahej prej tjetrit për arsye biografike dhe për shkak se u kishte ‘shkarë këmba’ në dërrasë të kalbur.
Veçse dallimi është i madh, për shkak se Meta-Kryemadhi gjithçka që e kanë realizuar, për mirë ose për keq, e kanë bërë së bashku, kështu që, pavarësisht se çfarë bëjnë në jetën e tyre familjare, përpara drejtësisë janë të destinuar të përballen bashkë, duke pasur të njëjtin fat.