Pavarësisht përplasjes së qëndrimeve lidhur me Gazën dhe ofensivën e planifikuar izraelite në Rafah, SHBA-ja sërish i premtoi Izraelit mbështetje të palëkundur në mesin e frikës se Teherani mund të hakmerret për sulmin nga ai cili mbetën të vrarë dy gjeneralë të lartë iranianë.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden paralajmëroi se republika islamike po kërcënon me një sulm madhor pas goditjes së konsullatës iraniane në Siri mbi një javë më parë, për të cilin Teherani fajëson shtetin hebre.
“Siç i thashë dhe kryeministrit Netanyahu, angazhimi ynë për sigurinë e Izraelit kundër këtyre kërcënimeve nga Irani dhe përfaqësuesit e tij është i hekurt. Më lejoni ta përsëris, i hekurt. Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbrojtur sigurinë e Izraelit”, u shpreh Biden.

Të mërkurën, lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, deklaroi se sulmi i Izraelit në Damask ishte i barasvlefshëm me një sulm kundër vetë Iranit. Një zyrtar Iranian gjithashtu e paralajmëroi Izraelin se as ambasadat e tij nuk janë më të sigurta.

“Kur ata e sulmuan zonën e konsullatës sonë, ishte sikur të sulmonin territorin tone. Ky regjim i keq duhet ndëshkuar, dhe do të ndëshkohet”, u shpreh Ayatollah Ali Khamenei, lider suprem i Iranit.

Sipas CBS News, inteligjenca amerikane ka lënë të kuptohet se Teherani është duke planifikuar një sulm që do të përfshijë dronë Shahed dhe raketa. Nuk dihet as objektivi, e as koha e sulmit të mundshëm, por goditja e një ndërtese diplomatike izraelite do të ishte sipas iranianëve një përgjigje proporcionale, thuhet në raport.