Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) Altin Dumani, ndodhet sot në Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), për të raportuar veprimtarinë vjetore të SPAK.
Pas raportimit, kreu i KLP Alfred Balla pyeti Dumanin se “mos ndoshta duhet të jeni më të hapur me median”.
Në përgjigje Dumani tha: “Kemi komunikim korrekt. Unë kam mbajtur takime me gazetarët. Është premtim i mbajtur që e thashë që kur konkurrova. Janë takime të hapura. Kanë qenë të lirë të adresojnë pyetje. Jam përgjigjur duke bërë balancën e sekretit. Ne komunikojmë për veprimtarinë e institucionit nëpërmjet njoftimit për shtyp.”
“Jam përpjekur, si drejtues i institucionit, të ruaj sekretin dhe të kufizoj rrjedhën e informacionit në rrugë informale”, shtoi kreu i SPAK.