Debate të forta priten ditën e nesërme në seancën plenare të Kuvendit, ku do të votohet nëse raporti për mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka do të shkojë për verifikim në Gjykatën Kushtetuese.
Në Kuvend është dërguar vetëm raporti i hartuar nga opozita, e cila kërkon që çështja e mandatit të Xhaçkës t’i kalojë Gjykatës Kushtetuese. Pritet me interes vendimi i socialistëve, pasi në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve nuk u dol me një vendim, por çështja u kalua për votim në seancën plenare të së enjtes.
Çështja e mandatit të Xhaçkës kishte mbetur pa u diskutuar, ndërsa prej 23 janarit 2023, Gjykata Kushtetuese pranoi e kërkesën e 14 deputetëve të PD, për ta shfuqizuar vendimin e Parlamentit që miratoi raportin e mazhorancës për të mos e çuar mandatin e Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese.
Ky vendim do të thotë që Kuvendi është i detyruar që ta çojë një kërkesë të deputetëve për verifikim të mandatit të një deputeti në Kushtetuese dhe do të jetë kjo e fundit që do të vendosë.
Ndërkohë, në seancën e nesërme shkon për votim edhe ngritja e Komisionit të Posaçëm për influencën ruse, ndryshe komisioni “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”.
Komisioni ka objekt të veprimtarisë së tij të nxisë identifikimin e ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike përmes një sërë formash, duke përfshirë mediet dhe rrjetet sociale, mbështetjen financiare të aktorëve publikë dhe të shoqërisë civile.
Komisioni përbëhet nga 11 anëtarë, që përfaqësojnë të gjitha grupet parlamentare dhe drejtohet nga përfaqësuesi i shumicës parlamentare.