Ministri rus i Mbrojtjes paralajmëroi homologun e tij francez kundër vendosjes së trupave në Ukrainë. Siç raporton AP, në një telefonatë të rrallë, Sergei Shoigu i tha ministrit francez të mbrojtjes Sébastien Lecornu se nëse Parisi konkretizon deklaratat e tij për mundësinë e dërgimit të një kontigjenti ushtarak francez në Ukrainë, “kjo do të krijojë probleme për vetë Francën”.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, la të kuptohej dy muaj më parë se mundësia e dërgimit të trupave perëndimore në Ukrainë nuk mund të përjashtohej.
Zyrtarët francezë që atëherë kanë sqaruar se sugjerimi kishte të bënte me përdorimin e trupave për stërvitje dhe operacione të tjera larg vijave të frontit.
Por telefonata mes dy ministrave shënon kontaktin e parë të këtij niveli që nga tetori 2022. Franca e ka mohuar pretendimin e Rusisë për një diskutim mbi bisedimet e mundshme për Ukrainën, sipas Agence France-Presse.
Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se Shoigu dhe Lecornu diskutuan potencialin për bisedime mbi konfliktin në Ukrainë gjatë bisedës telefonike të zhviluar më 3 prill, por këtë pretendim Parisi e mohoi menjëherë.
“Franca as nuk pranoi dhe as nuk propozoi ndonjë gjë të tillë” për konfliktin, citon AFP një burim brenda kësaj ministrie.