Publikohen përgjigjet e sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi për RAI 3, por që nuk u publikuan asnjëherë, shkak ky që u kthye në një mollë sherri ndërmjet qeverisë shqiptare dhe medias italiane.
Gazetarët e kanë pyetur Agaçin mbi rolin e tij si avokat në disa çështje në Itali dhe ndërmjetësimi që ka bërë në ratifikimin e protokollit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve për ngritjen e një qendre pritëse për emigrantët, ku për të dyja këto çështja, ai nuk i ka mohuar duke i lidhur me profesionin e avokatit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave.
“Në aktivitetin tim të gjatë profesional si avokat në Itali kam asistuar shumë shtetas italianë, padyshim edhe shqiptarët dhe komunitetet e tjera të huaja në Itali. Në disa nga çështjet, kam ndihmuar, tashmë, ish-klientët e mi të përfshirë në krimet e parashikuara nga Dekreti Presidencial 309/90, Ligji për Narkotikët. Është pjesë e detyrave të mia aktuale të shqyrtoj të gjitha dokumentet që i paraqiten Këshillit të Ministrave. Pra, ndonëse nuk isha pjesë e grupit të negociatorëve për hartimin e Protokollit mes Italisë dhe Shqipërinë, sigurisht që dhashë kontributin tim modest”, ka theksuar Agaçi për RAI 3.
Përgjigjet e Engjëll Agaçit që nuk u publikuan nga “Rai 3”
– Është e vërtetë që ju keni luajtur rolin e ndërmjetësit në negociatat për shitjen e një sipërfaqe toke prej 30 mijë hektarësh të Artur Shehut te fondacioni Eftimiadi, që u zhvillua më 28 shkurt 2015?
Më datë 31.03.2012, si Avokat mora zyrtarisht detyrën nga Gjykata e Triestes, në emër të Kujdestarit të atëhershëm, për të trajtuar dokumentacionin dhe aktet e Trashëgimisë, të të ndjerit z.Salvatore Eftimiadi. E ndërpreva këtë aktivitet pas marrjes së funksionit institucional të përmendur më sipër (sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave) dhe më pas ia kam komunikuar Kujdestarit në fjalë fillimisht verbalisht dhe më pas zyrtarisht edhe nga studio ligjore ku bëja pjesë.
– Është e vërtetë se gjatë ushtrimit të profesionit tuaj si avokat në Itali, keni kryer funksione asistence ligjore dhe/ose konsulence në favor të shumë shtetasve shqiptarë të përfshirë në gjykatat italiane në procedimin penal për trafik droge?
Në aktivitetin tim të gjatë profesional si avokat në Itali kam asistuar shumë shtetas italianë, padyshim edhe shqiptarët dhe komunitetet e tjera të huaja në Itali. Në disa nga çështjet, kam ndihmuar, tashmë, ish-klientët e mi të përfshirë në krimet e parashikuara nga Dekreti Presidencial 309/90, Ligji për Narkotikët.
– Konkretisht a keni ofruar asistencë ligjore dhe/ose këshilla për Renardo Nallbanin, Alxi Nallbani, Dritan Nikolli dhe Artur Shehu?
Sjell në vëmendjen tuaj se legjislacioni italian dhe ai europian për mbrojtjen e të dhënave personale më pengon të zbuloj emrat e ish-klientëve të mi, përveç nëse ata japin pëlqimin e tyre. Në çdo rast është e drejta juaj për të pasur akses në dosjet e gjykatave vendore për kontrollet e nevojshme. Por, mund të përjashtoj absolutisht që emri i fundit i përmendur ka qenë ndonjëherë klient i imi.
– Ai keni pasur një rol konsulenti ose një rol tjetër në hartimin e Protokollit ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë për ngritjen e një qendre pritëse për emigrantët?
Është pjesë e detyrave të mia aktuale të shqyrtoj të gjitha dokumentet që i paraqiten Këshillit të Ministrave. Pra, ndonëse nuk isha pjesë e grupit të negociatorëve për hartimin e Protokollit mes Italisë dhe Shqipërinë, sigurisht që dhashë kontributin tim modest.