I ftuar në podcastin “Flasim” me kryeministrin Edi Rama ishte pronari i Lamborghinit, Tonino Lamborghini.

Ai ka treguar se si babai i tij i cili prodhonte traktorë, kaloi në prodhimin e Lamborghinit. Sipas Tonino Lamborghini, shkak kryesor i ndërtimit të fabrikës ku filluan të prodhoheshin Lamborghinit u bë Enzo Ferrari. Babai i tij përdorte Ferrari dhe kur motori i makinës pati problem, shkoi tek Enzo Ferrari dhe i tha që “ka diçka që nuk shkon me makinën dhe mund ta ndihmojë ta rregullojnë bashkë”.
Enzo Ferrari u soll keq me të dhe me mendjemadhësi i tha “si të më japë mend mua një që prodhon traktorë?” Kjo gjë nxiti Lamborghinin të hapte fabrikë dhe të bëhej një konkurrent i fuqishëm i Ferrarit.

Edi Rama: Ka një moment që e cekët, që është episodi i famshëm i çelësave, po ka edhe një tjetër moment që keni përjetuar dhe është kthyer në një kult edhe të kinematografisë, të historisë bashkëkohore, letërsisë, kujtesës, në të cilin babai juaj, Ferruccio Lamborghini, i cili prodhonte traktorë, por që përdorte një Ferrari, shkon te kolosi tjetër tejet dominues i asaj kohe, Enzo Ferrari dhe i thotë, “ka një gjë që nuk shkon te motori i veturës suaj dhe unë mund t’ju jap një dorë”, pa ia marrë mendja kurrë se nga ai takim do të lindte një tjetër ekselencë italiane, që ishte dhe vazhdon të jetë Lamborghini. Enzo Ferrari iu soll keq, u soll, le të themi, me mendjemadhësi, duke thënë “si të më japë mend mua një që prodhon traktorë?
Tonino Lamborghini: Ti nuk di t’u japësh makinave të mia, shko drejto traktorët e tu.
Edi Rama: Ai, më pas, kthehet në shtëpi dhe ju ishit dëshmitar i këtij momenti.
Tonino Lamborghini: Shumë i inatosur. Ishim ulur në tryezë, po hanim tagliatelle-t dhe i thotë nënës: “Anita, më duhen një miliard lira”. Në atë kohë ishte një vlerë e stërmadhe. Nëna, i kthehet dhe i thotë: “Ferruccio, po çfarë do bësh me një miliard lira?” “Ferrari më trajtoi keq. Në fund të fundit, i kam blerë dy Ferrari. Unë prodhoj 52 traktorë në ditë, ai le të jetë prodhues i makinave të garave, po unë mbaj në punë një mijë punonjës të brendshëm, plus të jashtmëve. Pse më trajtoi kështu?! Ia tregoj unë atij!” Nëna ime u trondit, ku të shkonte t’i gjente një miliardë lira të kohës? I thotë: “Nuk i kam, po edhe po t’i kem, më duhen për të çuar përpara kompaninë”. “Duhet të m’i gjesh!” i thotë. Më në fund, ia pret: “Sa shpenzojmë për reklama?” Asokohe, Italia ishte e veshur në çdo cep me tabela në rrugë, ku shkruhej: “Traktorë “Lamborghini”, Traktorë “Lamborghini”, Traktorë “Lamborghini”. Edhe sot mund t’i shohësh të braktisura nëpër rrugët e fshatit në Campania. I thotë: “Po, shpenzojmë shumë, shpenzojmë ndoshta një miliard lira”. “Mirë, kur të skadojnë kontratat, ti mos i përsërit. Paratë m’i jep mua. Unë do i bëj konkurrencë Ferrarit. Do hap një fabrikë dhe, nëse ecën mirë, do kem më shumë përfitim në imazh sesa do të kisha me tabelat e reklamave”. Dhe kështu ndodhi.
Edi Rama: Gjeniale.
Tonino Lamborghini: Goxha guxim, edhe goxha guxim.
Edi Rama: Idetë gjeniale kanë nevojë për guxim, apo jo? Nuk bëhen kot.
Tonino Lamborghini: Menjëherë, u vu në kërkim të tre inxhinierëve më të famshëm. Ishin të gjithë shumë të rinj, sapo kishin mbaruar universitetin. Punonin te Ferrari dhe Maserati. E bëri menjëherë. Dërgoi një mik për të parë terrenin dhe i tha: “Shko dhe m’i sill këtu!” Tani, pse qe e lehtë t’i merrje që andej? Nuk është kaq e lehtë të marrësh një të ri nga Ferrari apo nga Maserati apo jo? Karta fituese ishte se Lamborghini kishte treguar tashmë se dinte të prodhonte traktorë, kishte një biznes që zhvillohej prej vitesh, një kompetencë teknike, teknologjike dhe, mbi të gjitha, një sipërmarrje që kishte cilësinë më të lartë të makinerive dhe kërkimit mekanik. Tani, t’i thuash një inxhinieri, “eja me mua, të të tregoj atë që po bëj”, i jep një lloj entuziazmi. Për më tepër, duhet të marrim parasysh se Maserati i asaj kohe ishte pak i lodhur, nëse më lejoni të përdor një term të papërshtatshëm. Enzo, po, nuk kishte ndonjë karakter të lehtë, bënte zotërinë e padronin në të gjitha kuptimet. Kështu, im atë ia doli t’i merrte sa hap e mbyll sytë, duke iu thënë, “dua një makinë. E dua kështu, kështu, kështu dhe kështu.” Pra, nuk tha: “Më bëni një makinë, por e dua me këto veçori. Dua katër cilindra motori, ndezje e dyfishtë, 12 karburatorë. Dikur, të gjitha makinat, Ferrari, Maserati, AstonMartin, kishin balestra. Tani, çdokush që ka një moshë të caktuar e di që makinat, rrëshqitnin dhe dilnin nga kthesa, sepse, me balestër, makina kërcente përpjetë. Të sillje rrotat e pavarura, që sapo kishin nisur të shiheshin në Formula 1, ishte një hap i madh përpara. Kjo ishte arsyeja se pse, me këto ide shumë të qarta, këta inxhinierë të rinj u mbushën me entuziazëm të madh dhe gjithçka mori udhë me shpejtësi.Mendojeni pak që, për nëntë muaj, nëntë muaj, u prezantua prototipi i parë funksional. Sot, për nëntë muaj nuk bën dot asgjë.
Edi Rama: A reagoi Enzo Ferrari për këtë?
Tonino Lamborghini: Natyrisht që jo, përveç një rrëfimi të bërë me një gazetar të madh të kohës, i cili quhej Gino Rancatti… Gino Rancatti më ka dërguar një letër që e ruaj, ku thuhej se për herë të parë, Enzo Ferrari pranoi se kishte gabuar dhe se ndoshta duhej të ishte përmbajtur, sepse kishte sjellë në jetë një konkurrent.
Edi Rama: Nga ato që kam mësuar, kam përshtypjen se intuita e tij për atë që mendonte se Ferrari duhet të bënte me motorin doli që ishte e saktë.
Tonino Lamborghini: Po, sepse im atë e provoi vetë. Te Ferrari që digjte friksionin, montoi një friksion normal “Ferodo” që e montonte te traktorët. Përmasat përputheshin në mënyrë të përsosur, kështu që u montua, u provua dhe makina iu përgjigjej sforcimeve me zero probleme. Ja pse Ferrucio, im atë, shkoi te Ferrari, pa asnjë mendjemadhësi, pa asnjë krenari, duke thënë që, në thelb, po shkoj te një koleg, një bashkësipërmarrës, t’i them, “dëgjo, po e ndërrove këtë me këtë, problemi zgjidhet”. E bëri pa asnjë mendjemadhësi, si klient. E priti dy orë. Ndërsa priste dy orë në paradhomë – këtë ma tregonte im atë – thoshte me vete: “Unë prodhoj 52 traktorë në ditë. Kam 1 000 punonjës. Kam dy Ferrari dhe ky më lë të pres dy orë?” Pastaj, në Italinë e asaj kohe, tjetrit i drejtoheshe me “ju”. Ky vjen dhe i drejtohet me “ti”. Ferrari i flet tim ati me “ti”.
“Po pse më drejtohet me ‘ti’?”
Ato vite, kur shkoja në shkollë të mesme, nëse dikush ishte dy a tri vjet më i madh se unë, i drejtoheshe me “ju”. Më pas, natyrisht, bëheshim shokë dhe flisnim me “ti”, por, si fillim, ishte me “ju”. “Ta marrë e mira, ky si ia lejon vetes”. Kjo dhe e bezdiste tashmë. Pastaj, kjo qe historia. Le t’ua përcjellim edhe të rinjve. Nuk e di nëse në gjuhën tuaj keni “ti” dhe “ju”
Edi Rama: Po, e kemi.