Gjenerali Sandër Lleshaj, i cili ka mbajtur më parë edhe postin e ministrit të Brendshëm, i ftuar në studion e emisionit “Breaking” me gazetarin Xhoi Malësia në Top Neës ka folur mbi përplasjen më të fundit Iran-Izrael si dhe mundësinë që Shqipëria të jetë e rrezikuar nga Irani duke kujtuar sulmet kibernetike ndaj vendit tonë. Duke komentuar sulmin që Irani kreu ndaj Izraelit si hakmarrje për vrasjen e gjeneralit të lartë gjatë pranisë së tij në ndërtesën konsullore në Siri, Lleshaj tha se Izraeli nuk ka asnjë interes për të hapur fronte të tjera lufte. Ndërsa shtoi se të dy shtetet, arritën qëllimet e tyre, Irani duke paraqitur pamjet e sulmit për propagandë tek populli iranian dhe Izraeli që arriti të mbrohej me shumë efiçencë nga qindra dronë dhe raketa.

“Izraeli nuk ka kurrfarë interesi të hapë fronte të reja ndërkohë që ka një front të pambyllur me Hamasin dhe Hezbollahun apo Houthin në Jemen. Nuk besoj se do kishte arsye për të hapur një front të ri. Aq më tepër që nga kjo përplasje Izraeli pothuajse nuk pësoi asgjë ndërsa Irani pësoi shumë. Megjithatë të dyja palët kanë arsye për t’u kënaqur. Sepse të dyja arritën qëllimin e tyre. Irani arriti qëllimin propagandistik për të thënë se bëri diçka për vrasjen e gjeneralëve. Irani ka disa video për t’u treguar njerëzve që bëmë një sulm të paparë për të ushqyer propagandën. Ndërkohë edhe Izraeli ka mundësinë të thotë se ka mbrojtur me efiçencë të lartë një sulm masiv. Spektakli dukej si spektakël fishekzjarrësh”– tha Lleshaj. Më tej ai tha se nëse në Izrael do të kishte pasur pasoja të shumta nga sulmi iranian, atëherë përshkallëzimi i konfliktit mes dy vendeve, do të ishte i pashmangshëm.

“Këto disa orë ballafaqimi, u shoqëruan me disa miliarda euro shpenzime që u hodhën në ajër brenda disa orëve. U kursye përshkallëzimi sepse nëse do kishim viktima të shumta në Izrael, përshkallëzimi do ishte i garantuar”- shtoi gjenerali.

Teksa foli për mundësinë e kërcënimit iranian për Shqipërinë, ish-ministri u shpreh se nuk ka asnjë lloj kërcënimi fizik për vendin tonë duke parë edhe distancën por theksoi se duhet të jemi të përgatitur sa i takon sulmeve kibernetike dhe atyre terroriste të cilat mund të ndërmerren nga Irani.

“Niveli iranian i kërcënimit për Shqiopërinë, ngelet në nivelin hibrid apo kibernetik për arsye të distancës. Pra asaj që duhet t’i druhemi është hapësira kibernetike. Duhet të jemi vigjilentë në nivelin e sulmeve hibridë, sulme terroriste dhe aktivitete të tjera të karakterit agjenturor etj. Këto janë fushat ku Shqipëria mund të llogarisë rrezik. Rreziku i një goditje fizike ngas Irani drejt Shqipërisë është shumë i kufizuar për shkak të distancës. Raketat e tyre balistike mund të mbërrinnë deri në perimetrin e Shqipërisë por nuk besoj se është ekstremi i kësaj çështje”– u shpreh Lleshaj.