Peter Pellegrini, një aleat i ngushtë i kryeministrit populist Robert Fico, e ka mposhtur një kandidat properëndimor për t’u zgjedhur president i ri i Sllovakisë, duke e pasuar Zuzana Captovan. Pellegrini i fitoi 53 për qind të votave në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të shtunën, duke e mposhtur ish-ministrin e Jashtëm, properëndimorin Ivan Korcok, i cili i fitoi rreth 47 për qind të votave.
“Mund t’ju premtoj se do të jem president i të gjithë qytetarëve sllovakë. Zotohem se do të jem gjithmonë në anën e Sllovakisë”, tha Pellegrini pas triumfit në zgjedhje. Pellegrini u bë presidenti i gjashtë i Sllovakisë prej se ajo e fitoi pavarësinë pas rënies së Çekosllovakisë më 1993. Caputova, një mbështetëse e madhe e shtetit fqinj Ukrainës në luftën e saj kundër pushtimit rus, nuk garoi fare për mandatin e dytë për presidente. Triumfi i Pellegrinit nënkupton se tani kryeministri Fico me aleatë i kanë në dorë Parlamentin, Qeverinë dhe Presidencën e Sllovakisë. Presidenti i kombit me 5.4 milionë banorë e zgjedh kryeministrin pas zgjedhjeve parlamentare dhe i emëron gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese.
Presidenti mund ta përdorë edhe veton kundër ligjeve, megjithëse Parlamenti mund ta shfuqizojë veton me një shumicë të thjeshtë, si dhe mund t’i sfidojë ato në Gjykatën Kushtetuese. Ai ka të drejtë edhe t’i falë të dënuarit me burg. Qeveria, e udhëhequr nga kryeministri, zotëron shumicën e pushtetit ekzekutiv. Partia Smer e Ficos i fitoi zgjedhjet parlamentare shtatorin e kaluar falë një platforme proruse dhe antiamerikane.
Partia e Pellegrinit Hlas e zuri vendin e tretë dhe iu bashkua koalicionit qeverisës me Ficon dhe partinë ultranacionaliste, Partia Nacionale e Sllovakisë. Kritikët druajnë se Sllovakia nën sundimin e Ficos do ta braktisë rrugën properëndimore dhe do ta ndjekë drejtimin e Hungarisë, e cila udhëhiqet nga kryeministri populist Viktor Orban.
Qeveria e re menjëherë e ndali furnizimin me armë për Ukrainën. Mijëra njerëz kanë protestuar vazhdimisht nëpër rrugët e Sllovakisë së fundmi kundër politikave proruse të Ficos, përfshirë kundër planeve për ta ndryshuar Kodin Penal dhe për t’i marrë nën kontroll mediat publike. Korcok ishte kritik i vendimeve të Qeverisë, për të cilat protestuesit druajnë se mund ta minojnë sundimin e ligjit, ndërsa Pellegrini e mbështeti Qeverinë e re dhe nuk i vuri në dyshim politikat e saj.
Korcok është ish-ambasador sllovak në Shtetet e Bashkuara dhe në Gjermani, i cili shërbeu edhe si i dërguar i vendit në NATO dhe në Bashkim Evropian./ REL