Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se SHBA ka parë prova të përpjekjeve kineze për të “ndikuar dhe ndërhyrë” në zgjedhjet e ardhshme në SHBA.

Blinken i bëri komentet për Kylie Atëood të CNN në një intervistë të premten në mbyllje të një udhëtimi tre-ditor në Kinë, ku diplomati i lartë amerikan kaloi orë të tëra duke u takuar me zyrtarë të lartë kinezë, përfshirë Xi, ndërsa të dy vendet ‘lundronin’ në një sërë çështjesh të diskutueshme, nga kontrollet e teknologjisë amerikane deri te mbështetja e Pekinit për Moskën.

Blinken tha se ai përsëriti një mesazh që presidenti Joe Biden i dha Xi-t gjatë samitit të tyre në San Francisko nëntorin e kaluar për të mos ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të 2024-ës në SHBA. Më pas, Xi ishte zotuar se Kina nuk do ta bënte këtë, sipas raportimit të CNN.

“Ne kemi parë, në përgjithësi, prova të përpjekjeve për të ndikuar dhe ndoshta ndërhyrë, dhe ne duam të sigurohemi që kjo të ndërpritet sa më shpejt që të jetë e mundur,” tha Blinken kur u pyet nëse Kina po shkelte angazhimin e Xi ndaj Bidenit deri më tani.

“Çdo ndërhyrje nga Kina në zgjedhjet tona është diçka që ne po e shikojmë me shumë kujdes dhe është krejtësisht e papranueshme për ne, kështu që doja të sigurohesha që ata ta dëgjonin përsëri atë mesazh,” tha Blinken, duke shtuar se kishte shqetësime për Kinën dhe vendet që luajnë me ndarjet ekzistuese sociale në SHBA në fushatat e ndikimit.

Pekini ka thënë vazhdimisht se nuk ndërhyn në zgjedhjet amerikane, bazuar në parimin e tij të mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera. Kina ose aktorët që besohet se janë të lidhur me Pekinin janë akuzuar për ndërhyrje politike në vende të tjera, si Kanadaja, shkruan CNN.