Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim ambasadoren e Francës në Shqipëri, Catherine Suard, me të cilën nënshkroi edhe një marrëveshjeje bashkëpunimi në fushën digjitale dhe inovacionit, që sipas kryebashkiakut Veliaj do të sjellë frymë dhe energji të re bashkëpunimi mes Tiranës dhe Parisit.

“Do të kemi një vizitë në fillim të majit në Paris, me kryebashkiaken Hidalgo, per shumë prej atyre iniciativave që kanë ndodhur në Paris, siç ka qenë pedonalizimi i Senës apo Rue de Rivoli. Ne kemi bërë pedonalizimin e Sheshit ‘Skënderbej’, të Pazarit, të Kalasë. Kjo do të thotë se qytetet pavarësisht se Parisi ka një histori mijëvjeçare, shekullore, Tirana pak më modeste, prapë qytetet mund të kalojnë etapat dhe të kapin atë që sot është moderne, sot praktike dhe sot sjell zhvillim për qytetet”, tha Veliaj.

Për ambasadoren Suard, konkretizimi i këtyre nismave do të mundësojë forcimin e mëtejshëm të lidhjeve mes Francës dhe Shqipërisë.

“Gjithçka është e mundur dhe do e bëjmë të mundur. Kjo është shtysa jonë, t’i bëjmë gjërat të mundura dhe t’i konkretizojmë ato dhe ta çojmë më tej këtë bashkëpunim. Është kënaqësi e madhe për mua bashkëpunimi me ju!”

Agjencia e Industrisë Kreative në Tiranë do të institucionalizojë një bashkëpunim me kolegët francezë, për të mundësuar që fëmijët e të rinjtë e kryeqytetit të shijojnë shfaqjen e filmave dhe kineastëve francezë në ambientet e kinema “Agimi”. Ndërkohë, një tjetër iniciativë e rëndësishme është vendosja në mënyrë permanente e instalacionit “Micro-folie” Tirana, me koncept kryesor edukimin dhe argëtimin e fëmijëve dhe të rinjve në ambientet e Piramidës.

Top Channel