Kryetari i lëvizjes “Dashuri, besim, shpresë”, Nemanja Sharoviç, ka thënë sot se presidenti i Serbisë është pajtuar për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Politikani Sharoviç tha për agjencinë Beta se Vuçiç është pajtuar për pranimin e Kosovës në KiE me kusht që të formohet Asociacioni.

“Duke pranuar planin franko-gjerman dhe udhërrëfyesin e Ohrit, Vuçiç u pajtua për hyrjen e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është pasojë logjike e politikës së Vuçiçit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Ajo që po bën Vuçiç sot është vetëm kontroll i dëmit mediatik, sepse për shkak të marrëveshjes së Serbisë, pranimi i Kosovës në KiE u përkrah edhe nga vendet që nuk e njohën pavarësinë e Kosovës”, ka vlerësuar Sharoviç.

Ai ka thënë se në Këshillin e Evropës Serbia “ka rënë” në katër vota (dy nga Serbia dhe nga një nga Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi) dhe se nuk mund të pengohet pranimi i Kosovës në atë organizatë.

“Vuçiç ka përgjegjësinë më të madhe për pranimin e Kosovës në KiE, sepse ua ka premtuar shefave të tij nga Perëndimi. Që nga viti 2012, ai në vazhdimësi ka zbatuar politikën e tradhtisë së interesave kombëtare serbe dhe heqjes dorë nga autoriteti shtetëror në Kosovë e Metohi.

Vuçiqit i intereson vetëm se si ta ruajë pushtetin e tij, ndërkohë që serbët në Kosovë janë krejtësisht të harruar për të”, ka thënë Sharoviç.