Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, u nderua së fundmi me një statujë prej dylli nga muzeu “Madame Tussauds Istanbul” në qytetin e Stambollit.

Në këtë skulpturë, artistja e hitit “Levitating” shihet me një nga veshjet skenike të tourit “Future Nostalgia”. Kjo veshje ikonike e saj, shoqëroi Dua Lipa-n në të gjitha koncertet ku promovoi albumin e saj tejet të suksesshëm.

Të gjithë adhuruesit e këtij arti, mund të vizitojnë muzeun për të parë skulpturën prej dylli të artistes së famshme. Muzeu “Madame Tussauds Istanbul” është një atraksion turistik që gjendet në Avenue Istiklal në Stamboll. Ndërkaq, rikujtojmë se së fundmi Dua Lipa ka reflektuar rreth mbështetjes për komunitetin LGBTQ+, duke i thënë Trixie Mattel se jeta është shumë më e këndshme me homoseksualët.