Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me Unionin e Sipërmarrësve të Francës, në kuadër të vizitës dyditore në Paris.

Ndërsa ndau në rrjetet sociale momente nga mëngjesi në Paris me Unionin e Sipërmarrësve të Francës, kryeministri informoi se u diskutua mbi mundësitë dhe potencialin e bashkëpunimit afatgjatë.

Rama diskutoi me drejtuesin e Unionit të Sipërmarrësve të Francës, Jean-Paul Agon, president i grupit L’Oréal dhe i komitetit Francë-Shqipëri në MEDEF.

Në këtë takim ishin të pranishëm 35 përfaqësues të kompanive prestigjioze franceze, si dhe të ftuar të tjerë nga bota e biznesit.

Gjatë takimit u prezantuan disa nga fushat prioritare për investime në Shqipëri, me interes të ndërsjellë për të dy vendet, ndërkohë që në vijim kryeministri Rama do të zhvillojë takime individuale me drejtues të sipërmarrjeve pjesëmarrëse.

Kryeministri Edi Rama nisi dje një vizitë zyrtare dyditore në Paris, Francë, me ftesë të Presidentit francez Emmanuel Macron, ku do të zhvillojë një sërë takimesh të përqëndruara kryesisht në promovimin e potencialeve dhe klimës pozitive që Shqipëria ofron për zhvillimin e investimeve të huaja, si dhe në perspektivën e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

Së bashku me Kryeministrin Rama pjesë e delegacionit qeveritar janë ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhe, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku, si dhe ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni.