Eshtë prezantuar projekti i kompleksit të ri sportiv të Akademisë së Futbollit Dyrrah City, të Manchester City, i cili do të ndërtohet në zonën e Spitallës, në Durrës.
Në ceremoninën zhvilluar në ambientet e Kryeministrisë, ku u shfaqën pesë trofetë e Machester City, të fituara në sesonin futbollistik 2022-2023, merrnin pjesë Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, drejtues të Manchester City, sportistë e të ftuar nga bota e sportit.
Në fjalën e saj, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu e ka konsideruar hapjen e kësaj shkolle një mundësi të artë për të rinjtë shqiptar dhe shkollë model për rajonin.
“Fondacioni Dyrrah City Football Academy, i mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, që tashmë ka lidhur marrëveshjen me Manchester City për të mundësuar hapjen e Shkollës së Futbollit dhe ne presim ta hapim në muajin shtator. Është bërë përzgjedhja e klubit Dinamo City që do të mundet të realizojë këtë investim gjigand, këtë impiant sportiv që do të ndërtohet sipas idesë së arkitektit Marco Casamonti”, tha Ministrja Manastirliu.
Kompleksi i ri sportiv, pritet të jetë ndër komplekstet më moderne stërvitore në rajon, një impiant sportiv me tetë fusha sportive për të rinj dhe profesionistë, palestra, qendra fizioterapie, ambiente multifunksionale, hapësira rezidenciale, ku do të zbulohen, formohen dhe promovohen talentet e reja të sportit më popullor, që është futbolli.
“Ky kompleks modern sportiv, jam e bindur që do të jetë një krenari jo vetëm për vendin tonë, por edhe për rajonin, ku do të rritet edhe kërkesa për të aplikuar në këtë shkollë jo vetëm nga fëmijët dhe të rinjë në Shqipëri, por edhe në Ballkan, edhe më gjerë”, tha Manastirliu.
 
Në kuadrin e marrëveshjes së bashkëpunimit që Manchester City ka lidhur me Fondacionin Dyrrah City Football Academy, si dhe marrëveshjes paraprake që Ministria e Arsimit dhe Sportit ka firmosur në prill 2023, kanë nisur të zhvillohen disa veprimtari për të promovuar projektin dhe për të nxitur interesin e publikut për çeljen e sezonit të pare të Akademisë në shtator të 2024.
Në datat 16-19 prill do të jenë  në Shqipëri 5 kupat që ka fituar Manchester City në sezonin e shkuar në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar: Champions League, Premier League, FA Cup, FIFA Club World Cup, UEFA Supercup.