Prokurorët Europianë kanë marrë në dorë hetimet për negociatat e presidentes së KE-së, Ursula von der Leyen dhe CEO të Pfizer, për vaksinën anti-Covid 19.

Hetimi ndaj von der Leyen për “ndërhyrje në funksionet publike, shkatërrimin e SMS-ve, korrupsionin dhe konfliktin e interesit” nuk është më në duart e prokurorëve belgë, por i është kaluar Zyrës së Prokurorit Publik Evropian (EPPO) .

Hetimi fillimisht u hap nga autoritetet gjyqësore belge në qytetin e Liezhit në fillim të vitit 2023 pas padisë së lobistit Frédéric Baldan. Më vonë atij iu bashkuan qeveria hungareze dhe polake. Por kjo e fundit po tërhiqet pasi drejtimin e vendit e mori qeveria e re pro-BE e udhëhequr nga Donald Tusk.

Pfizergate u ngrit pikërisht mbi mesazhet që supozohet se kanë shkëmbyer Von der Leyen dhe shefi i Pfizer, Albert Bourla, në prag të marrëveshjes më të madhe të vaksinës së BE-së në kulmin e pandemisë Covid-19.

Hetimi nga prokurorët Europianë vendos sërish nën lupë rolin e presidentes së Komisionit në marrëveshjen e megavaksinës, me një vlerë rreth 20 miliardë euro.

Prokurorët Europianë po hetojnë marrëveshjen me vlerë mbi 20 miliardë euro për krime financiare dhe  mund të sekuestrojnë telefona dhe materiale të tjera nga zyra e KomisionitEuropian ose në vende të tjera në Evropë, si Gjermania, vendi i lindjes së Von der Leyen.

Komisioni i BE-së ka refuzuar gjithmonë të zbulojë përmbajtjen e mesazheve që lejuan blerjen e 1.8 miliardë dozave të vaksinës kundër Covid për një total prej 20 miliardë eurosh.

Ky zhvillim vjen në një moment kur shefja e KE-së po kërkon një mandat të dytë.

Marrëveshja mes Brukselit dhe Pfizer është arritur në mes të pandemisë në vitin 2021 dhe është parë si një triumf i madhe për politikanen gjermane, por polemikat nuk kanë munguar gjatë këtyre viteve, me raportime të shumta që sugjerojnë se vitin e kaluar janë shpërdoruar doza vaksinash me vlerë 4 miliardë euro.