Nga Mero Baze/
Për të gjithë ata që e këshillonin Edi Ramën të mos merrej kaq shumë me Rai 3, pasi vetë Rama ishte më popullor në Itali se Rai 3, sot ka një përgjigje.
Kryeministrja Meloni, ju bashkua fushatës së tij, duke e bërë të qartë thelbin e betejës së Edi Ramës me Rai 3. Është beteja politike kundër Paktit Meloni-Rama lidhur me ardhjen e azilkërkuesve afrikanë në një burg në Shqipëri, një çështje e cila do të jetë e debatuar përjetësisht, lidhur me precedentin që krijon në marrëdhëniet ndërkombëtare, dhe me pragmatizmin e treguar nga dy kryeministra, njëra e djathtë e tjetri në krye të së majtës, pa qenë dhe aq i majtë, për të zgjidhur një problem për Italinë.
E majta italiane është në të drejtën e saj të ndjehet e tradhtuar nga Edi Rama. Ai përveçse i ka dhënë një ndihmë vendimtare një prej kauzave më të diskutueshme të armikes së tyre kryeministre, kauzës të mos pranimit të emigrantëve të huaj në Itali, i ka detyruar ata të bëjnë aleancë në Shqipëri me Sali Berishën dhe Ilir Metën, dhe kjo është si t’i detyrosh t’i fusësh në hale.
Pra aleanca e Edi Ramës me Melonin, për Paktin e emigrantëve, jo vetëm ka të drejtë ta xhindosë të majtën italiane, por dhe opozitën shqiptare që Rama u ka marrë të vetmen aleate që kishin pas shpalljes “non grata” të Sali Berishës.
Ky pakt trazoi gjithçka. Të majtët italianë i bëri miq me të “djathtët” shqiptarë, shtypin e majtë italian e ktheu në aleat të portaleve të Berishës dhe Metës në Shqipëri dhe ajo që është më cinike, akuzat publike të opozitës në Shqipëri kundër Ramës apo vëllait të tij, i ktheu në burime “sekrete” për Rai 3.
Shfaqja e Melonit sot në krah të Edi Ramës, duke e konsideruar sulmin ndaj Shqipërisë, një përpjekje për të sulmuar një vend që ju gjend pranë Italisë, shpjegon gjithçka, për dëmin poltik që ka bërë kjo marrëveshje në Itali për opozitën e atjeshme, ku natyrisht “fajtor” është Edi Rama.
Pa aftësinë e tij për të bërë miq dhe aleatë ndërkombëtarë “përtej të majtës e të djathtës”, dhe mbi të gjitha “italianofilizimin” e tij, kjo marrëveshje nuk do ishte bërë, Rai 3 nuk do kishte “zbuluar”, ato që këtu thuhen me zë të lërë dhe më qartë se ata dhe mbi të gjitha, “të djathtët” tanë nuk do ishin bërë miq me të majtën italiane, dhe Melonit kurrë nuk do t’i shkonte mendja që në një shesh të Italisë, ndërsa shpallte nisjen e fushatës për zgjedhjet evropiane, ti dilte zot Shqipërisë përballë një stacioni televiziv publik në Itali, duke i akuzuar se po sulmojnë Shqipërinë se ju gjend pranë Italisë.
E parë më me qetësi, me kaq shumë rregulla sa ka prishur Edi Rama me këtë marrëveshje, e ka hak “drurin” nga Rai 3.
Por problemi është se ai jo vetëm “që po shijon” drurin, por po këmbngul të vazhdojë.