I ngarkuari me punë i SHBA në Tiranë, David Wisner tha se qëndrimi për Sali Berishën nuk ka ndryshuar. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, diplomati amerikan u shpreh se SHBA-të nuk angazhohen me personat e shpallur non grata.

Ai u shpreh se po punojnë me parti politike, me shoqërinë civile, me njerëz në të gjithë spektrin për t’u munduar ta bëjmë Shqipërinë një vend më të mirë.

Ndërsa i pyetur qëndrimin në lidhje me mandatin e tretë të PS në pushtet, Wisner tha se të gjithë mezi presin zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Po ashtu ai përshëndeti rikthimin e opozitës në Parlament pas disa muajsh bojkot.

Pjesë nga intervista

Zoti Wisner, si asnjëherë me parë, një forcë politikë drejton vendin prej tre mandatesh, ka kontrollin e pjesës dërrmuese të bashkive të vendit. Nga ana tjetër prej dy vitesh kemi një opozitë të copëzuar. A është një situatë e tillë, e shëndetshme për një vend demokratik?

David Wisner: Si parim i përgjithshëm, debati i hapur, i gjallë, është i rëndësishëm për çdo demokraci. Në të njëjtën mënyrë, mendoj se është fantastike të shohim që opozita është kthyer në parlament dhe ka rimarrë funksionet në atë mënyrë që presin qytetarët shqiptarë. Do të thoja që mendoj se të gjithë presim me kënaqësi zgjedhjet vitin e ardhshëm. Është një mundësi vërtet e rëndësishme që politikanët shqiptarë të paraqesin idetë e tyre përpara qytetarëve shqiptarë, për ta shfrytëzuar mundësinë për të zhvilluar një debat të gjallë, dhe mendoj se do të jetë një çast i shkëlqyer për Shqipërinë.

Ju e përshëndetët dakortësinë mes shumicës dhe opozitës që riktheu normalitetin në jetën parlamentare. Megjithatë, në sallën e parlamentit kemi një rikonfigurim në krahun e opozitës, ku shumica dërrmuese e deputetëve demokratë, njohin si kryetar të tyre ish kryeministrin Sali Berisha. Para disa muajsh në një deklaratë të saj ambasada amerikane përsërti qëndrimin e saj lidhur me persona të shpallur non grata duke nxitur të gjithë aktorët që të shqyrtojnë me kujdes angazhimet e tyre me figura të tilla. Cili do të jetë raporti juaj me këta aktorë, ose më saktë me grupin parlamentar demokrat të rikompozuar?

David Wisner: Armand, qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Ne vazhdojmë të mos angazhohemi me personat e shpallur non-grata sipas sanksioneve tona për korrupsionin. Dhe do të vëreja se ato sanksione kanë përfshirë të gjithë spektrin politik, pavarësisht asaj çka u pëlqen disa njerëzve të thonë këtu. Pra, ajo çka ne po bëjmë këtu është që ne po punojmë me parti politike, me shoqërinë civile, me njerëz në të gjithë spektrin për t’u munduar ta bëjmë Shqipërinë një vend më të mirë, natyrisht. Por në të njëjtin aspekt, siç e thashë më parë, ajo që shqiptarët duan vërtet janë njerëz që punojnë për interesat e popullit shqiptar dhe jo për interesat e tyre personale. Dhe mendoj se e ardhmja e këtij vendi nuk qëndron tek njerëzit e përfshirë në korrupsion. Dhe partitë politike duhet të prezantojnë ide të rëndësishme, duhet të paraqesin alternativa reale qeverisëse. Dhe, natyrisht, duhet të prezantojnë kandidatë të cilët njerëzit duan t’i votojnë. Kam shumë besim kur dëgjoj shqiptarët të më thonë se duan të kthejnë faqe, dhe duan të kenë opsione reale që funksionojnë në interes të tyre.