Kryeministri Edi Rama solli sot pamje fantastike nga pranvera në malin e Gramozit.

“Pranverë tipike në malin e Gramozit në Kolonjë”, shkroi Rama në rrjetet sociale.

Ndërsa bora po shkrin duke lënë pllanga nëpër luginat e malit, lulet alpine po lulëzojnë me ngjyrat e tyre intensive, duke i dhënë panoramës një bukuri të rrallë me kontraste të forta.

Mali i Gramozit me liqenin e tij akullnajor, monument natyre në një lartësi prej 2523 m mbi nivelin e detit është një nga atraksionet më të vizituara në Kolonjë.

Reshjet e borës dhe të shiut janë ushqimi kryesor i këtij ujëmbledhësi. Përreth ka bimësi të larmishme natyrore. Monumenti ka vlera shkencore, estetike e turistike.

Të apasionuarit pas lartësive, ngjiten në këto relieve të thyera për të ushtruar sportin e alpinizmit, të ecjeve malore dhe të admirojnë natyrën e rrallë të këtyre majave.