Kryebashkiaku Erion Veliaj i bën apel Rithemelimit dhe PL-së që të mos bllokojnë vendimmarrjen për dhënien e qytetarisë së nderit Ali Ahmetit dhe ndihmën ekonomike për njerëzit në nevojë në mbledhjen e radhës së këshillit bashkiak. Në një intervistë për Report tv, Veliaj ka komentuar thirrjen e Berishës dhe të Metës për të protestuar sërish para Bashkisë së Tiranës, ditën kur Këshilli Bashkiak do të marrë disa vendime shumë të rëndësishme për qytetin.
“Atë dite ne kemi vendime të rëndësishme, janë kryesisht vendime të ndihmës ekonomike, të shpërndarjes së parave për disa shtëpi që janë djegur aksidentalisht, janë 26 shtëpi në per bonus qiraje per tërmetin dhe kemi një vendim të madh, simbolik për dhënien e titullit ‘Qytetar Nderi’ per Ali Ahmetin. Nëse duan të bëhen gazi botës, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon, dhe të bllokojnë vendimmarrjen për dhënien e qytetarisë së nderit, Ali Ahmetit, apo të pengojnë ndihmën ekonomike, le ta bëjnë, por di të them se qyteti ka menaxhuar vendimmarrje të Këshillit Bashkiak edhe në pandemi, edhe pas tërmetit, kështu që, një lloj karagjozllëku i tillë nuk pengon jetën e qytetit. Siç thashë, është një stan me lepuj dhe me gjithë insistimin tim që t’i çojmë njerëzit te Kopshti Zoologjik, insistimi i tyre për ta sjellë Kopshtin Zoologjik këtu është e drejtë e tyre, jetojmë në demokraci nuk ka asnjë problem”, u shpreh Veliaj.
Kreu i Bashkisë komentoi edhe pjesëmarrjen e Argita Berishes dhe të Klevis Balliut në protestë.
“Kur ti dëgjon vajzën e Saliut, vajzën e Safetit, çunin e Fariut qe thonë “poshtë pinjollët e komunistëve”, por unë jam rritur vetëm që 10 vjeç, kurse ata njihen ende me emrin e prindit, djali dhe vajza e filanit. Unë besoj që Tirana gjithmonë e më shumë është e çunave dhe gocave që janë rritur vetë dhe i kanë bërë gjërat me mund e djersë, sesa ata që i kanë trashëguar nga mami dhe babi”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë u shpreh se Berisha dhe Meta po bëjnë zhurmë për t’i hequr vetes frikën nga humbja e radhës.
“Te filmi‘Beni ecën vetë’, Beni bërtiste me zë të lartë dhe ulëriste në pyll që t’i hiqte frikën vetes, jo që të trembte të tjerët. Këta bëjnë zhurmë për t’i heq vetes frikën nga humbja e radhës, po nuk e dëmtojnë qytetin. Sigurisht, përfundojnë nëpër instagrame dhe reelsat e turistëve. Unë po bëj çmos t’i çoj turistët tek Kopshti Zoologjik, ata bëjnë çmos ta kthejnë Kopshtin Zoologik në qendër të Tiranës, por kjo është zgjedhja e tyre. Kështu që nuk e ndërpresim jetën e qytetit”, deklaroi Veliaj.