Nga Ben Andoni/

Nuk ka orë, ditë të mos postohen e përcillen lajme për ish-presidentin dhe të ardhmen e fatit të Ilir Metës. Ka kaq shumë gazetarë dhe analistë që flasin me siguri për akuzat dhe se ku janë hetimet ndaj tij; po të tjerë edhe me më shumë siguri, se do të arrestohej në fundjavë; se ishte me siguri pas hekurave qysh para Konventës, se tashmë ka marrë fund, saqë njerëzit e zakonshëm, kur e panë dhe e dëgjuan fjalimin patetik të Ilir Metës në Koventë nuk e ndanin dot më personazhin real me atë të krijuar. Ka kaq shumë teori konspiracioni, se po përpiqet të arratiset (!), po shantazhon përreth që të fitojë kohë; se po gjenden mundësi të shantazhojë edhe në SPAK; se është lojë e gjithë kinse beteja e tij me bashkëshorten, sa një gjë të ngulet mirë në kokë: jemi në një realitet paralel me përmendjen e personazheve, që po e përshkojnë udhën mes realitetit dhe fantazisë. Më shumë subjekt letrar artistik sesa më politik, Ilir Meta ua ka ushqyer këtë dell krijimi prodhuesve të lajmeve por edhe fansave të tij duke ua prodhuar vetë lajmet, që nga qesëndisja e të shoqes në forumet (megjithëse e pranoi se bashkëshortja me statut është në organet drejtuese); në ngjitjet dhe paraqitjet e stisura fizike, që bëjnë të qeshin edhe ata që janë amatorë në sport; apo duke vazhduar me fjalorin e kufizuar leksikor, që tashmë e ka mbathur me emrat e personazheve të folkut dhe personaliteteve historike, kryesisht të Majta. Po a duhej që teoritë e konspiracionit ta gjuanin kaq shumë? Në demokracinë tonë, që po merr plagë të përditshme nga drejtimi i Ramës dhe i të gjithë strukturës së tij shtetërore, lajmi scoop i zë vendin tjetrit pas arrestimeve për korrupsion, kurse nga maxhoranca ka vetëm relativizime. Mbase këtu kanë gjetur hapësirë, teoritë lokale të konspiracionit dhe personazhe të ndryshme për t’i treguar dhe parashkruar fatin njërit prej personazheve kyçe të Shqipërisë së pas ’90.

Teoria e konspiracionit, sipas përkufizimit, është besimi se individë apo grupe të ndryshme “po veprojnë në mënyrë të fshehtë për të arritur një qëllim keqdashës”. Dhe, në Shqipëri, sot po gëlojnë nga çasti në çast, kur njerëzit janë gjithnjë e më shumë konfuzë me drejtimin por edhe demokracinë. “Dëshmitë e grumbulluara sugjerojnë se besime të tilla lindin nga puset e thella të mosbesimit shoqëror, cinizmit, polarizimit dhe ndjenjave të tjetërsimit” (Douglas et al.2013). “Si e tillë, spikatja e teorive konspirative në një shoqëri është më shumë një simptomë sesa një shkak i sfidave të fundit ndaj demokracisë”, citohet Scott Radnitz në artikullin e tij: ‘Why Democracy Fuels Conspiracy Theories’ (Pse Demokracia i ushqen Teoritë e Konspiracionit)

Por, studiuesit edhe për këtë kanë një përgjigje se përtej funksionit të tyre si përcjellje që imagjinata e qytetarëve të mund të flasë për abuzimet më të këqija të pushtetit, teoritë e konspiracionit shërbejnë për qëllime, të cilat i bëjnë ato të dobishme thjesht si retorikë politike. Dhe, duket se e vetmja gjë për t’i dhënë ‘besim’ kësaj përçartje që përcjell politika dhe retorika e boshtë e z. Meta është t’ia besojë fatin e tij pikërisht teorive të konspiracionit, ku aksioni i tij merr sado pak vërtetësi. (Javanews)