Pavarësisht spekulimeve që kanë qarkulluar mbi të ardhmen e tij së fundmi, sulmuesi i Barcelonës Robert Lewandowski, ka konfirmuar besnikërinë e tij ndaj Barcelonës duke bërë me dije se do të respektojë deri në fund kontratën 2 vjeçare të firmosur. Në një intervistë të dhënë së fundmi, polaku ka zbuluar se ndjen një keqardhje të madhe për faktin se nuk e fitoi Topin e Artë në vitin 2020 duke thënë se edhe nëse i jepet tani, do ta pranonte çmimin që nuk u dha si pasojë e pandemisë që përfshiu gjithë globin duke bërë që ndeshjet të luheshin pa tifozë.

“Së fundi një mik më dërgoi disa statistika. Shënova 100 gola në 85 ndeshje midis 2020 viteve dhe 2021. A duhet ta marr tani ‘Topin e Artë’ 2020? Do të ishte një gjë e mrekullueshme, do ta pranoja çmimin. Ai vit ishte i jashtëzakonshëm për mua, isha në nivelin më të lartë, fituam gjithçka. Nuk do të ndihesha i ofenduar nëse ma japin tani atë që e kam merituar, do të ishte një nder i madh. Nuk jam i zemëruar apo i trishtuar sepse më mungon ky trofe, por ndjenja ime është se në njërin nga ato dy vite duhej ta kisha fituar”, tha fillimisht ai. Më tej, sulmuesi katalanas zbuloi emrat e lojtarëve të cilët sipas tij, kanë mundësi ta fitojnë Topin e Artë këtë vit.

“Kush do ta fitojë këtë vit? Është e vështirë të thuhet, sepse Kampionati Evropian dhe ndeshjet e fundit vendimtare të Champions League janë ende përpara. Por, për momentin, Kylian Mbappé dhe Jude Bellingham janë lojtarët më të jashtëzakonshëm në botë për mua”, përfundoi polaku për “Sport Bild”. Në 29 paraqitjet e këtij edicioni në La Liga, Lewandowski ka shënuar 13 gola e ka bërë tetë asistime.