Nga Frrok Çupi

Të gjithë kanë marrë dhènë në kërkim të ‘identitetit’ të një reportazhi në Televizionin italian RAI3. Popull i thjeshtë e popull politik në kërkim. Sa shumë pyetje pa përgjigje:

-Po ç’patën këta shko- eja, si reporterë lufte, ‘bombat’ i kishin në çantë, i kishin në Itali, i sollën këtu, i morën nga Tirana, i çuan në Itali. Ato ishin ‘bomba’të vjetra që kishin plasur herët e s’kishin bërë gjë.

Gazetarët italianë as investiguan, as zbuluan gjë, as sollën vlerë, në shumicën e kohës edhe thanë qëllimisht të pavërteta.

Thonë disa: Po si mund ta bëjnë këtë që bënë gazetarët e një vendi si Italia.

Pastaj zbulimi:

A sulmohet prej tyre qeveria italiane, apo vetëm shqiptare? A sulmohet marrëveshja mes shteteve apo ekuilibri i krijuar në nivel të lartë?. Dikush tha edhe se këtu ka punë ideologjike, meqë Meloni e djathtë e Rama i majtë. Bullshit!…

Mua, për vete, nuk më ka krijuar dilema. Më duket se e kam lexuar qindra herë atë reportazh. I njëjti stil.

-Stili, vëlla; stili është si pasqyra, ai ta tregon cili është autori, mësojnë profesorët e gazetarisë në Perëndim.

Stili i reportazhit është as italian, as është shqiptar, as mongol. Unë e njoh këtë stil.

Ai që e ka shkruar, me këtë stil, nuk ka shkruar kurrë letërsi. Por imagjinon natë e ditë si t’i sulmojë armiqtë e tij. Kur merr vesh një gjë, ndoshta të vjetër e të skaduar, ndoshta edhe prej bodyguardëve të tij, gëzohet, qesh me lumturi dhe thërret cilin gazetar të gjejë: “Ma shkruaj këtë…, shkruaje fort, dërrmoje!’. Nëse gazetari matet t’i thotë ‘po fakte, signore!’, ai e shikon egër dhe e shan. Nuk i duhen fakte, i duhet zhurma; ky është ky stil.

Ai nuk e njeh institucionin…, se po na tërbojnë këta që flasin për ‘institucione në reportazhin e italianëve’. Ai sulmon njeriun, individin. Për ç’arsye? Ai tjetri o i bën hije, o i kërkon pagesën si punëtor apo nënkontraktor, o ky kërkon ministrisë rimbursimin e TVSH, o kërkon privilegje, psh., parlamenti shqiptar duhet të bëjë një ligj të veçantë për të(!). Kjo ka ndodhur. Për këtë arsye sulmon. Për shembull, me Ëngjëll Agaçin e ka inat të vjetër, thuajse personal. Institucionin nuk e njeh, aq më tepër që nuk ka aq shkollë sa ta lexojë këtë fjalë.

Lidhjen me televizionin Italian e ka të vjetër; pavarësisht nëse ndodhej atje apo në Tiranë. Ndoshta edhe për shkak të zonjave të ‘showbiz’ për të cilat vdiste. Këtu askush nuk i hynte në sy. Edhe një gazetare që kishte ‘bërë buzët’, e prozvalte duke e imituar me fytyrë të shtrembër. Sa herë i dilnin probleme me ligjet shqiptare, ai telefononte televizionin italian. Sepse ‘ kur e shikojnë në televizion italian, këta në Shqipëri dorëzohen’, thoshte. Ky stil e mbante në ajër, pa substancë dhe pa risi- siç edhe është sot stili i reportazhit italian.

Tani ai e urren për vdekje qeverinë shqiptare dhe gjithë jetën mendon për ‘rrengje’ kundër saj. Sigurisht ka kohë pa ardhur këtu, por e shikon me dylbi 24 orë. Shkak i fillimit të urrejtjes u bë një urë që ndërtoi në vendin tonë. Urën ia kërkuan fshatarët ku ai po ngrinte investimin e tij gjigand. I dëgjoi, ua bëri urën, bëri edhe tam- tame deri në televizionet italiane. Por në krye të javës shpërthyen shirat dhe ura nuk u duk më. Stili i tij e bënte të pavërtetën të vërtetë, dhe fyerjen e fshatarëve- nderim.

Me Berishën, kur ishte në pushtet, e di se ka ndarë ca para, nja 250 mijë euro edhe para syve të mi, por për tjetërkënd nuk ka dhënë para. Gazetarëve u premtonte paga pak më shumë se pagën e presidentit Obama. Edhe gazetarët italianë janë njerëz dhe mund të tundohen. Mandej pse vallë edhe gazetarët duhet të pyesin se ku i merr paratë bosi i tyre (!)

Në Tiranë ka ende tre a katër gazetarë dhe me ta përhap lajme të rreme.

Dy gjëra i urrente me shpirt: Shiun dhe të vërtetën. Po t’i flisje se një gjë për tu shkruar duhej të kishte të vërteta, ai tërbohej. Madje kush ia thoshte këtë, nuk vlente më. Çdo lajm që vinte nga rruga, ai ishte ‘zoti’. Zhurmë, vëlla! Zhurmë dhe…, ‘bomba’

Ky është stili që njoha menjëherë edhe te reportazhi italian. E kisha parë qindra herë.

Ca po thonë disa: ‘ideologji’, ‘Europë’, ‘e majte e djathtë’. Nuk vura re se gazetarët italianë të reportazhit kanë ndonjë lidhje me këto fjalë.