Kreu i katërt i këtij libri nis me bisedën e shkurtër të Nolit me Presidentin Amerikan W. Wilson, më 4 korrik të vitit 1918, në bordin e një jahti: “Unë do të kem vetëm një zë në Kongresin e Paqes, dhe atë zë do ta përdor për të drejtat e Shqipërisë”, thotë Wilson.

Noli i entusiazmuar, ia kthen me këto fjalë zemre: “Ai zë është i mjaftë për Shqipërinë, dhe shqiptarët do të jenë vdekësisht të gëzuar dhe fare të sigurtë për të drejtat e tyre”. Por, që ky zë i madh të zinte vendin e vetë, Nolit dhe gjithë atdhetarëve të tjerë të Shqipërisë do t’u duhej të kalonin një odiese të tërë. Ishte koha kur Shqipëria s’ishte gjë tjetër veçse një cironkë në mes të detit, që vuante kërcënimin për t’u coptuar nga peshkaqenët e botës. Noli, në ato kohë të vështira, theksonte, se “Vatra” duhet të luante rolin e një negociatori të jashtëm për fatet e Shqipërisë.

Në cilësinë e kryetarit të “Vatrës”, ai kishte zbuluar “Marëveshjen e Fshehtë të Londrës”, që synonte coptimin e mëtejshëm të Shqipërisë. Pas largimit të Princ Vidit, grekët pushtuan Shqipërinë e Jugut, Italia Vlorën dhe sërbët Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut. Në këto kushte një pamflet i Konicës kishte tronditur, jo vetëm marrëdheniet me austriakët, por kishte zemëruar edhe Nolin, i cili, i dëshpëruar thellë i shkruan Konicës dhe Çekrezit: “A e dini, or çiliminj, që po luani me zjarrin. Do ta merrni më qafë Shqipërinë”.

Përpjekjet e Nolit për pavarësimin e Shqipërisë do të thellohen më tej në vitin 1916, kur vendi ynë ishte kthyer në fushë lufte mes pushtuesëve. Në këtë kohë, Noli u bënte thirrje fuqive të mëdha se, Evropa nuk mund të kishte paqe, pa qetësuar Ballkanin. I tronditur thellë, ai lajmëron botën, se shqiptarët po vdisnin nga uria dhe se lirinë e vërtetë të shqiptarëve jabesonte vetëm Presidentit amerikan Wilson. Ndërkohë Noli, nëpërmjet poezisë “Jepni për nënën”(1917), u bën thirrje shqiptarëve të Amerikës, të ndihmojnë Shqipërinë dhe shqiptarët në këto kushte tepër të vështira. Në Kongresin e Federatës “Vatra”, Noli u bën thirrje shqiptarëve ta ruajnë flamurin shqiptar, sepse çdo plumb që bie mbi të, godet Shqipërinë mu në kraharor. Ishte koha kur “Vatra” po përçahej. Krijimi i “Partisë Politike”, do ta ndërlikonte mosmarrveshjen mes shqiptarëve. Edhe Parashqevi Qirjazi bënte thirrje për bashkim.

Thelbi i konfliktit ishte rrëzimi i Nolit. Kundërshtarët nuk donin që Noli të ishte përfaqësuesi i shqiptarëve në botë për pavarësimin e Shqipërisë. Ata e konsideronin atë filo-austriak. Bile pati edhe nga ata kundërshtarë, që e quajti edhe filogrek, edhe pse Noli kishte bërë punë të madhe për shqipërimin e kishës greke. Megjithatë Noli mori pjesë në në Kongresin e Kombeve të Vogëla të Botës, ku mes të tjerash tha: Shqipëria është vërtet një vend i vogël, por dhe një problem i madh ndërkombëtar. Ajo i bën thirrje botës së qytetëruar për pavarësi, në emër të paqes. I jam mirënjohës presidentit Wilson, i cili ka thënë se, “çdo popull ka të drejtë të zgjedhë sovranitetin e vetë”.

Me gjithë akuzat e kundërshtarëve politikë, se gjoja Noli ishte filo-austriak, ai ishte e vetmja figurë që shquhej për intelektin dhe fuqinë artikuluese të papërsëritshme për të qëndruar në ballë të luftës për mbrojtjen e çështjes shqiptare në botë, edhe pse Memet Konica dhe Kristo Dako ishin hedhur në onfesivë kundër tij. Ishte koha kur ata shkruanin: “Noli, haptaz punon me Amerikën, ndërsa fshehtaz punon kundër këtij vendi”. Por, në të vërtetë, ishte Noli ai, që i shkruante Wilsonit për mbrojtjen e Çamërisë që Konferenca e Londrës ia dha padrejtësisht Greqisë. Aq të forta ishin akuzat ndaj Nolit, sa që Byroja e Hetimit Amerikan e vuri nën survejim.

Megjithatë Noli , ditën e festës kombëtare të Amerikës zhvilloi një bisedë të shkurtër me Presidentin Wilson, ku mes të tjerash i thotë: Situata në Shqipëri është e trazuar. E vetmja shpresë për ne është Amerika dhe Ju President. -Jo, mos u thuaj ashtu shqiptarëve- tha Wilsoni,- se ata do të lënë punën e tyre në gjumë. Fjalët e fundit të Nolit, në këtë bisedë, ishin: “Unë mbetem shërbetor i Shkëlqesisë suaj”! Byroja e Hetimit Amerikan, në këtë kohë deklaronte se, vërtet Noli bënte një lojë të dyshimtë, por nuk kishte asnjë provë spiunazhi. Edhe pse shumica e delegatëve të “Vatrës” ishin absolutisht të mendimit se, ai që duhet të kryesonte në Koferencën e Paqes, në Paris, duhet të ishte Fan Noli, grupi i Partisë Politike këmbëngulte, të mos ishte ai.

Por, me gjithë pengesat, më në fund Noli mori mandatin për të përfaqësuar shqiptarët në këtë Koferencë, nga e cila do të varej fati i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Në këtë kohë Noli përgatiti një memorandum, që ia dërgoi Presidentit Ëilson, i cili mbyllej me fjalët: “Shqiptarët shpresojnë se Amerika dhe aleatët do ta ndihmojnë Shqipërinë të ngrihet në këmbë, duke zgjidhur kështu edhe çështjen ballkanike. Ndërkohë, sekretari i Shtetit Amerikan sugjeronte krijimin e një Shqipërie të bashkuar, të cilën e kishte shkallmuar Koferenca e Londrës, duke lënë jashtë kufijëve të saj një pjesë të rëndësishme të trojeve të saj etnike. Koferenca e Paqes hapi zyrtarisht punimet ditën e 18 janarit të vitit 1919 nga presidenti i Francës.

Wilson-i, që e ndiqte nga larg këtë Konferencë, merrte informacione nga specialistët e tij, të cilët i konstatonin atij se çështja e bashkimit kombëtar të Shqipërisë dukej e vështirë. Zbehtësia e paraqitjes së kësaj çështjeje në këtë koferencë, kërkonte domosdoshmërisht oratorinë dhe djapazonin politik të Nolit, por ai po pengohej që të mos merrte pjesë. Në atë kohë Noli, me guximin dhe karizmin e tij ishte bërë njeri i botës. Por, edhe pse misioni amerikan rekomandonte që Noli të mos pengohej të udhëtonte drejt Francës, ai përsëri u pengua. Ishin grekët të parët ata, që nuk dëshironin që Noli të merte pjesë në atë Koferencë që do të vuloste fatin e Shqipërisë. Të njëjtën gjë bëri dhe Imzot Aleksandri, i cili, edhe pse e kishte dorëzuar Nolin Peshkop të Kishës Shqiptare, e anullon këtë vendim, me pretendimin se kishte marë shumë akuza për Nolin.

Në këtë kohë Noli, në letrën që i drejton atij, shkruan: ”Unë jam më tepër peshkop se sa ini ju. Peshkopin e parë e bëri populli. Edhe mua, ai dëshiroj të më bëjë Peshkop të Kishës së Parë Shqiptare Autoqefale”. Ai, mendonte se paqja nuk mund të vinte nga kombinimi i armëve me forcën, por nga një lidhje e armëve të krishtërimit. Tashmë, Noli, si Peshkop rebel, nuk mposhtej kurrë. Ai shfaqej tepër i kthjellët në rugën e tij pa kthim, si një yll në ngjitje.

KONGRESI I LUSHNJES, WILSON DHE NOLI, ATA QË VULOSËN FATIN E SHQIPËRISË

Kur Presidenti Wilson ndiqte nga Uashingtoni Koferencën e Parisit për çështjen e Shqipërisë, ai sëmuret rëndë. Në këto çaste, fati i Shqipërisë ndodhej në majë të briskut. Pa Ëilsonin Shqipëria mund të ricoptohej përsëri. Por, fati e desh që shpejt, Presidenti Ëilson të bëhet mirë dhe në nëntor të hedhë poshtë Traktatin e Versajës, duke kërkuar ndryshime. Edhe Turhan Pasha, në këtë kohë kërkonte një mandat amerikan për Shqipërinë. Në dhjetor të vitit 1919 nacionalishtët shqiptarë po përgatisnin një kuvend, i cili do të zgjidhte një qeveri të re, në vend të asaj të Durrësit. Kongresi i Lushnjes u mblodh më 21 janar, në kohën kur Koferenca e Parisit kishte pezulluar punimet, për të pritur përgjigjen e Wilson-it.

Ky Kongres rifilloi punimet më 28 janar të vitit 1920 me kryetar Aqif Elbasanin. Kongresi zgjodhi Kryeministër të Qeverisë së Përkohshme Sulejman Delvinën, i cili i drejtoi Presidentit amerikan një letër, ku thuhej qartë: “Kuvendi i Lushnjes kundërshton unanimisht, Antantën, që synon coptimin e mëtejshëm të Shqipërisë. Kemi vendosur të mos pranojmë asnjë lloj protektorati të huaj në vendin tonë”. Dita e 10 shkurtit, ishe dita e shpresës së Shqipërisë. Është dita që presidenti amerikan Wilson, me dorën e tij u dërgon aleatëve të mëdhenj një notë të prerë, përmes së cilës u deklaron se nuk e pranonte idenë e ndryshimit të kufijve shqiptar.

Kjo notë ishte mbështetja më e fuqishme që i kish dhënë deri tani Shqipërisë. Në këto çaste kishte ndritur një herë dhe përgjithmonë fati i Shqipërisë së pavarur dhe ankthi i gjatë i Nolit dhe i gjithë shqiptarëve që kishin luftuar një jetë të tërë për të arritur te kjo ditë e lumtur. Noli, tashmë i lumturuar kishte vendosur të shkonte në Shqipëri, jo për të zënë poste në qeverinë e re, por për të vazhduar luftën për çështjen e madhe kombëtare. Kur Noli erdhi për herë të parë në Shqipëri, në vitin 1913, ai nuk u prit si duhet. Por tani që ai kishte ardhur me një bilanc suksesi për çështjen kombëtare, me Kishën Autoqefale Shqiptare dhe me veprat e mëdha të shkruara dhe të shqipëruara nga letërsia më e madhe botërore, ai u prit si një nga atdhetarët dhe intelektualët më të zotë, që gjithçka ia ka kushtuar kombit dhe vendit të tij.

Forcën dhe frymëzimin ai e gjeti tek demokracia amerikane. Prandaj u drejtohet gjithë shqiptarëve me këto fjalë: “Thoni, tani, o miq, qysh do mundim ndonjëherë t’ia paguajmë Amerikës këtë borxh!? Amerika me shpirtmadhësinë e saj do ta quajë borxhin tonë të larë, dhe kështu do mundim të çlirohemi nga barra e paduruar e falimentit moral”.